“Nazistët ishin të dëshpëruar”, thotë prof. Bruttenholm në filmin e vitit 2004 të Gulliermo del Toros, “Hellboy”, dark fantazi dhe përshtatje në komedi. “Duke kombinuar shkencën dhe magjinë e zezë, ata synonin të prishnin balancat e luftës”.
Nga kinematë në raftet e librave, imazhi i Gjermanisë naziste në një linjë me magjinë e zezë dhe zotat e lashtë është i kudogjendur.
Edhe pse karakterizohet nga nuancat retro të serive të “Indiana Jones”, nuk është kaq figurative. Një sërë tekstesh të hershme kanë gjeneruar një teori në fillimet e Luftës së Dytë Botërore. “Hitleri flet” (1939) nga Hermann Rauschning, “Shkaqet okulte të luftës së tanishme” (1940) nga Lewis Spence dhe “Hitleri dhe forcat okulte” (1939) nga Edouard Saby, të gjithë këta libra e portretizonin Fyhrerin si një njeri që udhëhiqej nga forca demoniake, që ai nuk mund t’i kontrollonte herë pas here.
Asnjë prej këtyre shkrimeve nuk hedh një shikim ekskluziv e të thellë në punët e brendshme të Partisë Naziste. Rauchning e rriti besueshmërinë e vet si një ish-nazist i mesëm deri në një nga kontaktet e Hitlerit dhe bisedat e zbukuruara me të. Spence ishte një folklorist skocez që e projektoi dijen e tij mbi shkencat okulte në manifestin mistik të Hitlerit dhe bashkëudhëtarëve të tij. Saby shkoi edhe më tej. Ai shihte prova të okultizmit në gjestet që Hitleri bënte me duar në foto dhe në barazimin e vegjetarianizmit me satanizmin.
Sado të dobëta si fakte, këto i dhanë menjëherë material Dannies Wheatley-t për thrillerin e tij “Strange Conflict” në vitin 1941, i cili rrëfente si doktorë magjistarë nazistë kërcënonin karavanët e anijeve nga Amerika e Jugut, të cilat kalonin nëpër Atlantik.
I njohur si Stehpen King i kohës së vet, Wheatley shkonte për bukuri me okultistë anglezë si Aleister Crowley dhe Montague Summers dhe e kaloi luftën duke punuar për Seksionin e Kontrollit të Londrës, pjesë e aparatit bizantin të inteligjencës britanike që merrej me hartimin e fushatave mashtruese.
Pasi mbaroi lufta, romanet e Wheatley-t “Ata përdorën forcat e errëta” (1964) dhe “Ikje në ferr” (1970) dhanë një dorë që koncepti të mbetej në imagjinatën e publikut, duke çuar te filmi i parë i serisë “Indiana Jones”, “Grabitësit e Arkës së Humbur” (1981) dhe nga kjo në një paradë filmash me nazistë zombi dhe emisione naïve në televizionet kallore që eksploronin pafundësinë e mistereve magjike të Rajhut të Tretë.
Arsyeja pse ato histori ngjitën atëherë dhe pse ngjisin edhe sot është pothuajse e njëjta. Në vitet 1939-1940, avancimi në dukje i pandalshëm i Gjermanisë naziste ndërsa përparonte në vendet fqinje ishte e vështirë të kuptohej pa u shpjeguar me forcat e errëta. Pas Luftës së Dytë Botërore, përmasa horror e Holokaustit, shkatërrimi që kishte sjellë bombardimi ajror dhe barbaria e pushtimit shkonin përkundër asaj që mund të kuptohej lehtë. Sërish, nuk ishin të paktë ata që gjetën rehat në bindjen se kjo nuk ishte vepër vetëm e njerëzve, por edhe e monstrave, oreksi i errët i të cilave i kishte drejtuar në kërkim të njohurive akoma më të errëta.
Pra, në zemër të të gjithë kësaj qëndronte thelbi i të vërtetës dhe interesi për ezoterizmin po përhapej në mënyrë të habitshme në Gjermaninë naziste. Ndërsa ideja e një fyhreri me sy që të shponin, i udhëhequr nga obsesione okulte është absolutisht një gjepur, okulti ishte në mënyrë të pashlyeshme i lidhur me Gjermaninë naziste. Ishin njëfarë astrologjie nën zë, supersticioni, alfabeti i lashtë gjerman dhe mitologjia, të cilat përforcuan 12 vitet gjatë të cilave kryqi i thyer u valëvit në flamurin nazist mbi Berlin. / Historia e okultit / Përktheu: Gazmira Sokoli /