Aktualitet Hodhi mbetje vajore duke ndotur detin në Shëngjin, shpallet në kërkim kapiteni...

Hodhi mbetje vajore duke ndotur detin në Shëngjin, shpallet në kërkim kapiteni i anijes

Katastrofë mjedisore në bregdetin e Shëngjinit. Sasi e madhe nafte është derdhur në det, duke krijuar një ndotje të madhe dhe aromë shumë të rëndë në zonën e plazhit.

Policia e Lezhës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim kapitenin e anijes, i cili dyshohet se ka hedhur mbetje vajore.

Lidhur me këtë ngjarje, Policia bën me dije se hedhja e mbetjeve vajore janë hedhur në orën 15:10, në zonën e plazhit në fillimin e shëtitores në bregdetin e Shëngjinit.

“Gjatë verifikimeve të kryera dhe pas administrimit të raportit të nisjeve të anijeve në portin e Shëngjin, nga shërbimet e Policisë, ka rezultuar se ka dalë në lundrim anija tregtare me kapiten shtetasin E.K., për të cilin u bë shpallja në kërkim, për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës”, pasi dyshohet të ketë hedhur mbetje vajore në detin e Shëngjinit”, njofton policia.

Në lidhje me këtë ngjarje janë marrë mostra nga deti për ekzaminim e mëtejshëm, si dhe është administruar praktika e daljes së anijes nga porti.