Robert Lewandowski është një nga sulmuesit më të mirë të dekadës së fundit. Polaku është një garanci golash, të shumtë ishin ata që dëshironin që të fitonte “Topin e Artë”, por në fund triumfoi Leo Messi për herë të shtatë në karrierë.
33-vjeçari nuk ia doli të shpallej futbollist më i mirë i vitit as në “Global Soccer Awards”, çmim që shkoi për francezin Kylian Mbappe. Ish-presidenti i Bayern Munchen, Uli Hoeness e vlerëson jashtë mase goleadorin.
Në prononcimin e dhënë për Kicker, Hoeness foli me superlativa për lojtarin e ekipit bavarez, teksa e “këshillon” që t’i futet politikës pasi të mbyllë karrierën si futbollist profesionist.
“Robert është një djalë që mendon shumë, ai është tepër inteligjent dhe ka një vizion të qartë për botën. Nëse do t’i futej politikës, jam i sigurt se ai do të ishte në gjendje të bëhej kryeministri i Polonisë. Unë do të kisha shumë besim tek ai. Lewandowski është një djalë me ide të qarta në jetë“, deklaroi Uli Hoeness për yllin e Bayern Munchen, i cili këtë sezon e ka gjetur 30 herë rrugën e rrjetës.