Sport Holanda mbyll sezonin futbollistik, por klubet i drejtohen gjykatës

Holanda mbyll sezonin futbollistik, por klubet i drejtohen gjykatës

Për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, nuk do të ketë asnjë fitues të titullit në Eredivisie. Ky është vendimi i marrë nga Federata e Futbollit në Holandë që i ka qëndruar besnik deri në fund urdhrit të qeverisë, teksa ka anuluar plotësisht sezonin futbollistik në vend. Në një video-konferencë të jashtëzakonshme, krerët e lartë të futbollit në Holandë vendosën që sezoni 2019-2020 të mbyllej para kohe, por me një kusht: nuk ka fitues dhe as rënie nga kategoria.

Ajax është skuadra më e humbur në këtë mes, me skuadrën nga Amsterdami që pavarësisht se mban vendin e parë me 8 pikë më shumë se ndjekësi më i afërt, Az Alkmaar nuk do të jetë në gjendje të ngre lart trofeun e kampionatit, që do të ishte i 35 në histori dhe i dyti radhazi.

Ky vendim lë në fuqi klasifikimin aktual dhe tashmë Holanda do të përfaqësohet në Europë me skuadra si Ajax e Az Alkmaar në UEFA Champions League dhe Feyenoord, PSV dhe Willem II në Europa League. Gjithashtu, Federata vendosi që të mos ketë as rënie dhe as ngjitja nga kategoria, duke lënë me gisht në gojë ekipet e Cambur dhe De Grasshap që duhet të presin edhe një vit për tu promovuar në elitën e futbollit vendas.

Megjithatë ka shumë klube që nuk janë aspak dakord me vendimin për anulimin e sezonit dhe i pari që ka reaguar zyrtarisht ka enë Utrechti, që nëpërmjet një deklarate zyrtare, ka njoftuar se do të ankimojë vendimin.

Klubi shpresonte të arrinte një vend në kupat e Europës nëpërmjet kupës së Holandës, ku është edhe në finale, por anulimi i sezonit bën që të mbetet jashtë Europa Leagues, duke qenë se në renditje ka klube të tjera me më shumë pikë.

“Klubi i Utrecht nuk heziton të kundërshtojë vendimin dhe do ta bëjë këtë edhe para Gjykatës Sportive dhe UEFA-s. FC Utrecht nuk e pranon këtë vendim”, thuhej ndër të tjera në komunikatën e klubit holandez.