Nga Lutfi Dervishi*
DASHI 21 mars -19 prill: Gjatë kësaj jave ëndrrat që ke do të plotësohen. Gjumin do ta bëni pa u shqetësuar dhe nuk keni arsye për të nxituar për të shkuar në punë. Beqarët do të takojnë të dashurit/dashurat e zemrës përmes skype, whatsapp, viber. Koha më e mirë për të bërë chat në facebook dhe instagram do të jetë paradite, pasdite dhe në darkë.
DEMI 20 prill- 20 maj: Këtë javë mos kërkoni më shumë seç meritoni se ndryshe do të lëndoni veten. Të lindurit në këtë shenjë këtë javë janë shumë të favorizuar për të patur në më të shumtën e kohës pultin e televizorit në dorë. Gjatë kësaj jave do të ketë tentativa sidomos nga të lindurit në shenjën e Ujorit që të afrohen përtej distancës së lejuar 2 metra. Kujdes! Ekspertët këtë javë do të thonë të kundërtën e asaj që kanë thënë javën e shkuar. Nuk është periudhë e mirë për punën, por është periudhë e mirë për t’u menduar. Gjithsesi mos e teproni duke u sforcuar me mendime.
BINJAKËT 21 maj – 20 qershor: Nëse dëshironi që të mos përsëriten gabimet e javës së kaluar, mos dilni nga shtëpia pas orës 13:00. Kujdes në shkallë se mund të ndeshni një teshtimë të planifikuar nga gjitoni ziliqar. Nëse ju ka marrë malli për të shkuar në punë për t’u shlodhur, ngrihuni shkoni deri te dera, prisni sa t’iu largohet ky mendim i mbrapshtë dhe kthehuni në divan. Do të keni imunitet të fortë këtë javë dhe nuk do të prekeni nga prekjet e bashkëshortit/bashkëshortes. Mendoni, mendoni derisa të lodheni, por kushtojini rëndësi pushimit. Vazhdoni kështu dhe keni për të parë se ku do të arrini. (me pak përpjekje mund të arrini të dilni në ballkon)
GAFORRJA 21 qershor- 22 korrik: Ëndrra që do t’iu shqetësojë më shumë këtë javë është ëndrra sikur ju keni dalë me makinë dhe jeni bllokuar në trafik. Mos kini frikë edhe për këtë javë nuk do të ketë trafik. Dielli që do të hyjë plot 30 minuta nga dritarja e aneksit do t’iu jap energji të pashtershme. Gjatë qëndrimit në shtëpi, qëndrimi do të jetë problematik muajt e parë, të tretë dhe të pestë, por do të mësoheni dhe do të dini sa hapa duhen për të dalë nga dhoma në korridor.
LUANI 23 korrik- 22 gusht: Është javë shumë e mirë për të holluar sapunin, kuletën dhe mbulesën e tavolinës. Klima yjore nuk favorizon anën financiare. Nëse keni nisur të luani në shtëpi, merreni me qetësi. Lojërat Olimpike janë shtyrë me një vit. Nëse ju rrethon një qetësi bezdisëse hapni televizorin dhe shihni lajmet. E njëjta recetë rekomandohet nëse mendoni se është koha për t’u hakmarrë ndaj bashkëshortit/bashkëshortes apo nëse doni të frikësoni fëmijët e pabindur.
VIRGJËRESHA 23 gusht- 22 shtator: Do të ndiheni të përhumbur dhe do të ëndërroni gjëra të pamundura si pirja e kafesë, shëtitje në park, vitaminë D përmes rrezeve të diellit dhe ekskursione me shoqërinë. Java do të jetë e pasur me like, komente dhe share në facebook dhe twitter. Dëshira për të punuar duhet kompensuar me reflektim të thellë rreth proverbit: Një punë që mund ta bësh sot, e bën edhe mot!
PESHORJA 23 shtator- 22 tetor: Mos e teproni me ushqimin dhe pijet. Është koha për të lëvizur të paktën tre herë në ditë nga dhoma e gjumit tek dhoma e ndenjes dhe anansjelltas. Netflix do t’iu befasojë me një serial turk prej vetëm 374 episodesh. Nëse të ka marrë malli për të parë futboll, është shenjë se duhet të flesh më shumë në mëngjes. Nëse sheh në ëndërr duke bërë shopping, këshillohet të pish dy kafe turke (pa sheqer) në mëngjes.
AKREPI 23 tetor–22 nëntor: Ju që jeni në lidhje ka rrezik të kaloni partnerin në plan të dytë duke u përqendruar tek larja e duarve dhe dezinfektimi i pajisjeve shtëpiake. Beqarët do të kenë ditë të paqëndrueshme. Gjendja shëndetësore do të jetë e kënaqshme. Jo aq e kënaqshme do të jetë gjendja ekonomike. Nëse mbani në shtëpi qen apo mace- filloni flisni me to. Mos u habisni nëse nuk ju përgjigjen. Provoni të mjaullini ose të lehni pa shqetësuar komshinjtë që mund të jenë duke bërë të njëjtin ushtrim.
SHIGJETARI: 23 nëntor- 21 dhjetor: Kjo javë do të jetë e shkëlqyer. Nuk do të prekeni nga virozat e stinës. Mund të prekeni vetëm nga koronavirusi. Nëse keni në kokë projekte të mëdha, mos u shqetësoni. Planeti Venus do të jetë pranë jush dhe do t’ua largojë këto mendime të rrezikshme. Puna nga shtëpia do të ecë shumë mirë, por punët e shtëpisë do të rezultojnë problematike. Eshtë mirë që punët e shtëpisë të ndahen me short. Nëse keni nevojë për këshilime mos ngurroni të merrni 127.
BRICJAPI 22 dhjetor-19 janar: Gjatë kësaj jave nuk do të keni asnjë presion dhe është koha ideale për të nisur ndonjë projekt madhështor. Ka shumë mundësi që të nisni të lexoni një libër. Mos u shqetësoni se planeti Mars do t’iu ndihmojë të mbyllni librin në faqen 2 apo 4 varësisht nga marrëveshja që do të kenë yjet me njëri-tjetrin sa i përket fatit tuaj. Tani nuk do të ndjeni dhimbje shpine si më parë. Do t’iu dhembë gjithë trupi. Mund të ngriheni për ndonjë ushtrim, por kurrë mos u nxitoni.
UJORI 20 janar- 18 shkurt: Për të dashuruarit do të jetë një periudhë e veçantë. Mund të merrni një skype të papritur, ose një friend request në Instagram që do të ndryshojë përgjithmonë rutinën tuaj. Nëse keni borxhe është koha më e mirë për të kontaktuar borxhlinjtë dhe për t’ua bërë të qartë se i keni lekët, por nuk mund të dilni dot nga shtëpia. Mos u nxitoni të bëni ndonjë punë se gabimi më i vogël mund t’iu kushtojë shtrenjtë.
Peshqit 19 shkurt – 20 mars: Shëndeti do të jetë problematik për shkak të gjumit të tepruar, ushqimit të tepruar dhe filmave serialë me tepricë. Java do të jetë problematike për të gjithë. Nëse jeni në një lidhje do të tregoni kujdes. Pas të enjtes situata do të jetë më e qetë dhe do të qetësohet fare të shtunën dhe të dielën. Mund të flini gjumë, mund të qëndroni zgjuar. Asgjë nuk do të ndryshojë.
*Postim i marrë nga profili i tij në rrjetin social Facebook