Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja horror në Shënavlash të Durrësit ku 50-vjeçari Pëllumb Meta u vra dhe u varros në kasollen e bagëtive.
Si autore e kësaj ngjarjeje dyshohet vajza e tij, Hygerta, 19 vjeçe. Ajo është vënë në pranga nga autoritetet dhe ka pranuar se krimin e ka bërë për shkak të fejesës që donte t’i bënte i ati pa dëshirën e saj.
Por çfarë thonë të afërmit e Pëllumb Metës?
Për gazetarët të pranishëm pranë banesës së familjes ka folur krushku i 50-vjeçarit, të cilit djali i ka për nuse vajzën tjetër të Pëllumb Metës. Ky i fundit ishte baba i 2 djemve dhe 2 vajzave.
“Ne e njohim për familje shumë të mirë. Nuk kemi pasur asnjë lloj dyshimi se çfarë konfliktesh kanë në shtëpi. Për zhdukjen ka rreth 2 javë që na kanë thënë, që nuk ka ardhur në shtëpi, ka humbur. U interesonim, pyesnim nëse është gjetur, absolutisht. Më vonë kemi marrë vesh që është gjetur makina tek Parku rinia. Sot na njoftuan që është gjetur”, tregoi krushku i viktimës.
I njëjti e njeh edhe vajzën 19-vjeçare që është arrestuar si autore e dyshuar e krimit. Ai thotë se Hygerta nuk vriste dot një pulë, e jo më një njeri.
“Dëgjo nuk dua të futem në këto çështje, se këto janë çështje personale, familjare, ajo vajza nuk mbyt dot një pulë, jo njeri”, tha ai.
Hygerta Meta ishte studente.
“Më gjatë siç e ka pranuar ajo nuk di ç’të them, sepse ato janë çështje të brendshme. Vajza ka qenë shumë e mirë, studente, vajzë e respektuar. Nuk të shkon mendja fare që ajo ta bëjë këtë veprim”, tha ai.
Ngjarja që tronditi Durrësit e ka zanafillën 10 ditë më parë, kur Pëllumb Meta u denoncua i humbur. Pas verifikimesh u zbulua se ai ishte vrarë dhe varrosur në kasollen e bagëtive./Tv Klan