Para më shumë se një viti, Klement Balilit iu sekuestruan troje, biznese dhe apartamente, që rezultojnë në emër të familjes së tij në Sarandë, pasuri të cilat dyshohet se 44-vjeçari nga Saranda i ka vendosur me para të ardhura nga aktiviteti kriminal.
Një prej objekteve më të njohura, që Balilit iu sekuestrua ishte edhe kompleksi Santa Quaranta në Sarandë, ish-kampi i pushimit të Punëtorëve.
Përveç hotelit, Balilit iu sekuestruan 36 apartamente e njësi shërbimi, me rreth 2.178 m2 sipërfaqe si dhe 28,690 m2 truall.
Këto pasuri të sekuestruara do të administrohen dhe përdoren nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Grupi ‘Balili’ është një nga grupet kryesore të skeduara nga Policia e Shtetit në kuadër të operacionit ‘Forca e Ligjit’, që ka për objekt edhe goditjen e pasurive apo aseteve me burim kriminal.
Klement Balili është person në kërkim për llogari të drejtësisë greke dhe asaj shqiptare dhe i dyshuar si personi që drejtonte një grup kriminal të trafikut të drogës në Ballkan drejt Europës.
Është cilësuar nga mediat greke si “Eskobar i Ballkanit”, pasi sipas hetimeve të autoriteteve helene, ka trafikuar sasi të mëdha droge nga Shqipëria drejt Europës.
Për çështjen e tij në Shqipëri janë përplasur disa herë mazhoranca dhe opozita, ku kjo e fundit ka hedhur shpesh akuza se deputetë socialistë kanë ndikuar në mos arrestimin e tij.