E ndërsa pothuajse gjithçka rreth Brexit është ende e paqartë, ka vetëm një gjë të sigurt: kjo do të sjellë një humbje të madhe për shumë vende. Një Brexit pa marrëveshje do t’u kushtojë vendeve të BE-së 40 miliardë euro në vit, sipas një studimi mbi ndikimin e Brexit mbi ardhurat e BE-së, i realizuar nga instituti gjerman Bertelsmann Stiftung.
Sipas këtij të fundit, tarifat e reja pasi Britania të largohet nga blloku do të shtrenjtonte ndjeshëm tregtinë e mallrave dhe shërbimeve. Por, një Brexit pa marrëveshje do të ketë edhe fitues, sipas studimit.
Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përfitojnë nga Brexit. Britania e Madhe do të përballet me humbjen më të madhe të të ardhurave: 57 miliardë euro në vit, ose 900 euro për frymë, Gjermania dhe Franca, të dyja vendet e orientuara nga eksporti, do të humbnin përkatësisht 10 dhe 8 miliardë euro në vit, ndërsa Brexit do t’i kushtonte italianëve rreth 4 miliardë euro.
Ekonomisti Dominic Ponattu nga instituti Bertelsmann Stiftung deklaroi se rajonet që do të preken më shumë janë ato me industritë më të mëdha, si Gjermania, Italia apo Spanja, pra “rajonet më produktive janë ato që do të humbasin më shumë.”
Ndërkohë, në Mbretërinë e Bashkuar, sipas studimit vetëm rajoni i Londrës do të goditej më së shumti nga një Brexit pa marrëveshje, me një humbje prej 5 miliardë euro në vit, pasuar nga Berkshire dhe Surrey.
Nga ana tjetër, Irlanda, e cila ka qenë në qendër të bisedimeve të Brexit midis BE dhe Britanisë, do të vuajë në një skenar pa marrëveshje. Konkretisht, studimi tregon se vendi mund të përballet me një humbje prej 3.5 miliardë euro në vit. Kurse në Gjermani, qytetet që do të preken më shumë janë ai i Dusseldorfit me 650 milionë euro dhe Këln me 560 milionë euro humbje.
Një Brexit ‘i butë’ mbetet skena më e mirë e dëshirueshme, pasi do të zvogëlonte humbjen e të ardhurave në të gjithë BE-në në “vetëm” 22 miliardë euro në vit.
“Brexit mund të dëmtojë seriozisht themelet e zonës më të madhe ekonomike në botë”, tha Aart de Geus, kryetar i Fondacionit Bertelsmann, ndërsa shtoi se Brukseli dhe Londra duhet të bëjnë gjithçka që munden për të arritur një marrëveshje.
Por, përtej Europës ka vende dhe kontinente ‘të gatshëm’ për të shijuar daljen e Britanisë nga BE-ja. Kështu, të ardhurat amerikane mund të rriten me rreth 13 miliardë euro në vit në një situatë të vështirë të Brexit. Në Kinë, të ardhurat vjetore do të rriteshin me rreth 5 miliardë euro, dhe në Rusi një skenar i tillë do të çonte në një rritje të lehtë prej rreth 260 milionë euro në vit, sipas analizës.
Brexit, ‘i fortë’ ose ‘i butë’, do të ndikojë në burimet kryesore të rritjes, si dhe konkurrencën, duke shkaktuar kosto negative në ekonomitë europiane. Ajo që është e sigurt është se Brexit do të pakësojë potencialin e rritjes ekonomikë në Britani dhe Europë./Scan