Turqia zhvilloi sot zgjedhjet lokale, por që në fakt ishte më shumë një test për popullaritetin e Presidentit Rexhep Taip Erdogan, i cili u konfirmua fitues në rang vendi.
Ndërkohë, ajo që përbën lajm për mediat botërore është humbja në kryeqytetin e vendit Ankara, ku Mansur Zavas fitoi përballë kandidatit të koalicionit të Erdogan.
Ankaraja qeveriset prej më shumë se një çerek shekulli nga konservatorët islamikë.
Në fjalën e mbajtur para përkrahësve të partisë se tij Erdogan tha: “Çdo humbje dhe fitore dëshmon vullnetin e popullit tonë dhe duhet ta pranojmë atë si fakt i demokracisë. Duhet të pranojmë se fituam zemrat e njerëzve në këto zgjedhje në shumë qytete dhe pavarësisht se humbën në disa do të sillemi si duhet”, shtoi ai.
Erdogan, i cili foli në konferencën e parë për media pas përfundimit të procesit të votimit, bëri po ashtu bëri të ditur se pas pak do të niset për në Ankara për fjalimin tradicional në selinë e partisë, ku do të vlerësojë rezultatet e zgjedhjeve.
Më tej, presidenti turk tha se, “ata që u përpoqën të gjunjëzojnë vendin tonë duke prishur unitetin e popullit, u zhgënjyen edhe një herë”.
Në zgjedhjet e sotme lokale, rreth 57 milionë votues kishin të drejtë të hidhnin votën e tyre në 194.390 vendvotime.
Sipas vendimit të Këshillit të Lartë Zgjedhor të Turqisë, në këto zgjedhje garuan 12 parti politike.
Beteja kryesore zgjedhore u zhvillua nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Partia Popullore Republikane (CHP), Partia Lëvizja Nacionaliste (MHP), Partia İYİ dhe Partia Demokratike e Popujve (HDP). Shtatë partitë e tjera që morën pjesë në zgjedhje janë Partia e Pavarur Turke (BTP), Partia e Unitetit të Madh (BBP), Partia Demokratike (PD), Partia Demokratike e Majtë (DSP), Partia Saadet, Partia Komuniste e Turqisë (TKP) dhe Partia Vatan.
Ndryshe, zgjedhjet e sotme janë të 19-at në historinë moderne të Turqisë dhe të parat nën sistemin e ri presidencial, i cili filloi të implementohet pas zgjedhjeve presidenciale dhe të 27-at parlamentare që u mbajtën më 24 qershor të vitit të kaluar.
Zgjedhjet e kësaj të diele vijnë në një periudhë të vështirë ekonomike për vendin, pasi Turqia ka rënë në recesion pas shumë vitesh rritjeje ekonomike. Lira turke ka rënë me më shumë se një të tretën e vlerës.
Partia AKP ka dominuar politikën vendase prej 16 vitesh, ndërsa Erdogan i ka quajtur këto zgjedhje si jetike për të përcaktuar mbijetesën e vendit.
Në këto zgjedhje nuk kanë munguar edhe rastet e dhunës. Madje, dy persona janë vrarë në një qendër votimi në Malatya, pasi një qytetar refuzoi të futej në dhomën e fshehtë, duke tentuar të votonte hapur.