Nga Stephen M. Walt
Fitorja në Ukrainë mund të zgjonte lehtësisht mendjemadhësinë e Uashingtonit.
Në fund të fjalimit të Perikliut, teksa ishte duke i bindur shokët e tij athinas që t’i shpallnin luftë Spartës në vitin 431 p.e.s., ai deklaroi se “kam më shumë frikë nga gabimet tona sesa nga mekanizmat e armikut”. Në veçanti, ai paralajmëroi kundër arrogancës dhe rrezikut të kombinimit të “skemave të pushtuesit të ri me kodin e sjelljes gjatë luftës”. Paralajmërimet e tij ama mbetën të padëgjuara, dhe pasuesit e tij përfundimisht e çuan Athinën drejt një disfate katastrofike.
Shekuj më vonë, Edmund Burke ofroi një paralajmërim të ngjashëm për bashkatdhetarët e tij britanikë, ndërsa Britania i afrohej luftës me Francën revolucionare. Edhe ai shkroi në vitin 1793 se: “Kam frikë nga fuqia jonë dhe ambiciet tona; kam frikë nga tmerri ynë, shumë… Mund të themi se nuk do të abuzojmë me këtë pushtet të mahnitshëm dhe të padëgjuar deri më tani. Por çdo komb tjetër do të mendojë se ne do ta abuzojmë. Mund të duket e pamundur, por që herët a vonë, gjendja aktuale e gjërave do të arrijë të prodhojë një kombinim situatash që do të na vihen kundër, i cili mund të përfundojë edhe në rrënimin tonë të plotë.” Sidoqoftë, në rastin e Burke, parashikimi i tij nuk u realizua, pjesërisht sepse ambiciet e Britanisë mbetën të kufizuara edhe pasi Franca u mund.
I përmend këto dy profeci të zymta, sepse ekziston mundësia që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj perëndimorë të dalin nga lufta në Ukrainë me një fitore të qartë. Një shtet-bërje më largpamëse nga Perëndimi mund ta kishte parandaluar luftën që në fillim, duke i kursyer Ukrainës shkatërrimin e madh që ka pësuar në duart e rusëve. Por, koha nuk kthehet dot mbrapsht e pavarësisht kësaj, një kombinim i llogaritjeve të gabuara ruse dhe paaftësisë së saj ushtarake, rezistencës së ashpër ukrainase, mbështetjes së fuqishme materiale dhe inteligjencës perëndimore si dhe sanksioneve vendimtare ndaj Moskës mund të prodhojnë, përfundimisht, një fitore për Kievin dhe mbështetësit e tij perëndimorë. Duke supozuar se luftimet nuk do të përshkallëzohen më tej – një mundësi që ende nuk mund të përjashtohet – dhe që Ukraina do të vazhdojë sukseset e saj të fundit në fushëbetejë, fuqia ruse do të zvogëlohet tmerrësisht shumë, dhe për shumë vite në vijim. Madje është e mundur që Vladimir Putin të rrëzohet nga pushteti në Moskë. Dhe nëse Rusia do të pësojë një humbje vendimtare, paralajmërimet e saj për rrëzimin e pashmangshëm të një Perëndimi dekadent do të duken në rastin më të mirë, të parakohshme.
Ka shumë për të pëlqyer në lidhje me këtë rezultat si në aspektin moral ashtu edhe në atë strategjik, duke supozuar se armët bërthamore nuk do të përdoren dhe se Ukrainës do t’i kthehet pothuajse i gjithë (nëse jo i gjithi) territori i saj i humbur. Pra, unë e mbështes padyshim këtë rezultat. Por pastaj çfarë? Si duhet të përfitojnë Perëndimi dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara nga fitorja? Mbi të gjitha, çfarë hapash duhen shmangur që të mos shpërdorohen frytet e fitores?
Mund të duket e parakohshme ngritja e këtyre çështjeve në këto momente, duke pasur parasysh se fundi i luftës në Ukrainë është ende i pasigurt. Por duhet të fillojmë të mendojmë se çfarë ndodh nëse vjen momenti i fitores. Në fund të fundit, herën e fundit që Shtetet e Bashkuara arritën një fitore të madhe gjeostrategjike – shembjen paqësore të Perandorisë Sovjetike – ato iu nënshtruan llojit të mendjemadhësisë kundër të cilit paralajmëroi Perikliu, dhe e shpërdoruan mundësinë për të ndërtuar një botë më të qëndrueshme dhe mbi të gjitha më paqësore. Nëse i jepet një mundësi tjetër, duhet të mësojë nga gabimet e saj dhe të bëjë një punë më të mirë këtë radhë.
Ja çfarë më shqetëson: Megjithëse suksesi në Ukrainë është diçka që të gjithë duhet ta dëshirojmë, ka të ngjarë që ai të fuqizojë të njëjtat forca politike në Shtetet e Bashkuara që prodhuan teprimet kundërproduktive të epokës unipolare. Fitorja në Ukrainë do të fuqizonte pretendimet për epërsinë e qenësishme të demokracisë dhe do të inkurajonte përpjekjet e reja për ta përhapur atë jashtë vendit. Neokonservatorët e papenduar dhe liberalët ambiciozë do të krekoseshin, pasi më në fund ata do të ke ë arritur një fitore të suksesshme pas 30 vitesh dështim. Pas përfitimeve të mëdha nga lufta, kompleksi ushtarako-industrial do të ketë shumë më tepër miliona për të shpenzuar për të bindur amerikanët e pavëmendshëm se ata mund të jenë të sigurt vetëm duke e fortifikuar botën dhe duke shpenzuar edhe më shumë para për mbrojtjen sesa shtatë ose tetë vendet e ardhshme së bashku. Me një Rusi të dobësuar dhe një recesion ekonomik në prag, premtimet aktuale për të rritur aftësitë e mbrojtjes evropiane do të humbasin terren dhe aleatët perëndimorë të SHBA-së do të kthehen sërish tek varësia e tyre nga mbrojtja e Xhaxhait Sam. Pavarësisht shumë dështimeve të së kaluarës, përkrahësit e hegjemonisë liberale do të pretendojnë se janë shfajësuar, të paktën përkohësisht.
Pra, çfarë nuk shkon me këtë?
Si fillim, kjo injoron disa nga mësimet kryesore nga vetë lufta në Ukrainë. Mësimi nr. 1 është se të kërcënosh atë që një fuqi e madhe mendon se është një interes jetik është e rrezikshme, edhe nëse qëllimet e tua janë fisnike ose të mira. Kështu, ndodhi me zgjerimin pa fund të NATO-s: Grupe të ndryshme ekspertësh të politikës së jashtme kishin paralajmëruar vazhdimisht se kjo politikë do të çonte në telashe dhe asgjë që ka ndodhur që nga shkurti 2014, kur filloi kriza në Ukrainë, nuk i ka anuluar paralajmërimet e tyre. Të arrish një fitore në një luftë që mund të ishte shmangur nuk është një argument i mirë për të përsëritur të njëjtin gabim përsëri. Unë nuk po argumentoj se duhet të zbutemi, aspak, vetëm se po ngre një paralajmërim se injorimi i asaj që fuqitë e tjera të mëdha i konsiderojnë si interesa jetike është në thelb shumë i rrezikshëm.
Mësimi nr. 2 është rreziku i rritjes së kërcënimeve. Lufta në Ukrainë kuptohet më së miri si një luftë parandaluese e nisur nga Rusia për të ndaluar Ukrainën të rrëshqasë në orbitën perëndimore. Lufta parandaluese është e paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, por Putin besonte se përpjekja e udhëhequr nga SHBA për të armatosur dhe trajnuar Ukrainën përfundimisht do të zbehej. Ashtu si udhëheqësit amerikanë e ekzagjeruan rrezikun e krijimit të një efekti domino gjatë Luftës së Vietnamit dhe ashtu siç ata e frynë qëllimisht kërcënimin e paraqitur nga Iraku i Sadam Huseinit në vitin 2003, edhe Putini ndoshta e mbivlerësoi rrezikun aktual që “humbja” e Ukrainës do t’i shkaktonte Rusisë. Udhëheqësit rusë e përshkruan në mënyrë të përsëritur këtë rezultat si një kërcënim ekzistencial – d.m.th., një kërcënim i cili ia vlente të parandalohej me luftë – por frika e tyre se NATO mund t’i pushtonte apo se “revolucionet me ngjyra” mund të përhapeshin përfundimisht në Rusi ishte ndoshta e ekzagjeruar (që nuk do të thotë se ata nuk ishin të sinqertë). Nëse po, atëherë ky gjykim i gabuar ndihmoi ta zhyste Moskën në një moçal të kushtueshëm. Mendimi im është se kërcënimet e fryra mund t’i futin shtetet në po aq telashe sa edhe nënvlerësimi i tyre, kjo është arsyeja pse gjermani Otto von Bismarck paralajmëroi në mënyrë të famshme se lufta parandaluese ishte si “të bësh vetëvrasje nga frika e vdekjes”. Politikë-bërësit e ardhshëm të SHBA-së duhet ta kenë parasysh këtë.
Mësimi nr. 3 (të cilin Putin duket se e ka injoruar) është i thjeshtë: Nëse pushton një vend të huaj, mos prit një mirëseardhje miqësore. Përkundrazi, pushtuesit e huaj zakonisht bashkojnë shoqëritë e ndara më parë dhe frymëzojnë rezistencë të egër dhe shumë efektive. Ukraina është një rast i tillë, natyrisht, dhe lufta gjithashtu na kujton se ju keni edhe më pak gjasa të jeni të mirëpritur kur forcat tuaja të armatosura kryejnë krime lufte ose mizori të tjera. Do të bënim mirë ta mbanim edhe këtë mësim përpara dhe në qendër të planeve tona për të ardhmen.
Nga Stephen M. Walt, një kolumnist në Foreign Policy dhe Robert dhe Renée Belfer profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit. /Foreign Policy