Lionel Mesi është nga ata që mund t’i shënojë kujtdo, kurdo. Argjentinasi dhuroi një performance magjike mbrëmjen e së mërkurës ndaj Liverpulit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Ai realizoi dy herë, por goli i tij i dytë erdhi nga një goditje dënimi. Pak më shumë se 27 metra dhe shpejtësi goditjeje 91 kilometra në orë, aq sa bota e futbollit është magjepsur Mesi. Nga Zhoze Murinjo që është një nga “armiqtë” e tij të betuar e deri te Del Piero dhe Pyjol. Të gjithë shprehën në rrjetet sociale emocionet e tyre për gjeniun argjentinas.
DEL PIERO: “Çfarë mund të thuash? Mesi ishte pushtuar nga djalli. Edhe goli i parë nuk ishte i lehtë, shikoni sa ëmbël e kontrollon topi pasi kthehet nga traversa. Dje goditja e dënimit, nga ajo largësi ta dërgosh me atë precizion është çmenduri. Kur ke futbollistë me këto cilësi, ata të nxjerrin nga cilindri gjithçka”.
FERDINAND: “Leo Mesi është një lojtar fenomenal. Ai ka gjithçka. Është një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave, për të mos thënë më i miri. Jam i lumtur që jam këtu, ndihem i bekuar. Kjo është historia që mund t’u tregoj fëmijëve. Ai e vendos një ndeshje kur do ai”.
MURINJO” “Mesi është… Mesi. Nëse Barcelona nuk do të kishte Mesin, atëherë unë do të kisha zgjedhur Liverpulin si favoritin e këtij dueli, por me Mesin… Mesi është… Mesi nuk është lojtar i thjeshtë, por bën gjëra magjike, ai është special. Bën gjithnjë gjëra që të tjerët nuk i bëjnë. I shënoi dy gola Mançester Junajtid dhe sa vjen dhe thellon gjithnjë e më shumë rekordet e tij. Nuk rresht kurrë së na mrekulluari”.
KARLES PYJOL: “O Zot i madh. Lionel Mesi”.
FABREGAS: “Është e pamundur që dikush të më thotë se ka parë një lojtar më të mirë sesa ai”.
GERI LINEKER– “Uau, vetëm uau. Mesi shënoi golin e 600-të me Barcelonën me goditjen më të mirë të dënimit që mund të keni parë ndonjëherë. Gjeniu sfidon logjikën”.