Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar pas situatës në pikën kufitare të Kapshticës, ku dhjetëra shqiptarë ndodhen prej orësh të bllokuar në tokën neutrale mes Greqisë dhe Shqipërisë, të penguar për t’u kthyer në atdhe.
Në një prononcim për mediat, Lleshaj iu bën thirrje nga Shkodra emigrantëve që jetojnë jashtë vendit që mos të vijnë në Shqipëri këto ditë, me argumentin se dëmtojnë veten dhe familjarët.
“Ka shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Por në kushtet e masave të jashtëzakonshme, sot ne ju bëjmë thirrjen e kundërt, në qoftë se ne normalisht i thërrasim të gjithë shqiptarët të vijnë në Shqipëri të vizitojnë, sot i ftojmë të mos vijnë në Shqipëri mos ta vizitojnë sepse i bëjnë dëm vetes dhe familjeve të tyre. Kështu që kjo mbetet e qartë për të gjithë qytetarët, ata që janë rezident në vendet e tjera nuk janë të lejuar për të ardhur në Shqipëri gjatë këtyre ditëve. Ashtu sikundër nuk lejohet asnjë shkodran që të shkojë në Tiranë, apo i Tiranës të shkojë në Korçë e kështu me rradhë.”
Lleshaj theksoi se ndodhemi në kushte të jashtëzakonshme, e për pasoje, sipas tij, “duhet të stakojmë të gjithë forcat, energjitë, mendjen për ta përballuar këtë situatë”.