Mediat kanë zbardhur dëshminë e autorit të vrasjes së dyfishtë në Ballsh pasditen e djeshme.
Gazment Musta ka deklaruar para grupit hetimor se shkak nuk ka qenë xhelozia, por kërkesa e saj për të shkuar te prindërit.
Ai është shprehur se nuk e lejoi gruan që të shkonte te prindërit e saj për Vitin e Ri, pasi nuk kishte marrëdhënie të mirë me vjehrrin dhe vjehrrën.
“Ajo më kërkoi që të shkonte te prindërit, por nuk e lejova, pasi nuk shkoja mirë me ata”, mësohet se ka thënë autori.
Në momentin që kreu vrasjen e gruas dhe kunatës, babai i dy fëmijëve 3 dhe 7-vjeç ishte i dehur. Musta kishte qenë te prindërit e tij në fshatin Drenovë për festat dhe kur u kthye gjeti në banesë gruan dhe kunatën, e cila kishte ardhur që të merrte motrën për të shkuar te prindërit.
Kërkesa e bashkëshortes u refuzua nga 34-vjeçari, që kishte vetëm dy ditë që kishte ardhur nga Greqia.
Pas sherrit, Musta e goditi gruan Gentiana Caushaj 31-vjeçe me thikën e bukës disa herë duke e lënë të vdekur, ndërsa kunata Merisa Caushaj 18-vjeçe ndërhyri për të shpëtuar motrën, por mbeti e vdekur.