Aktualitet I dënuar në Itali për prostitucion dhe organizatë kriminale, 51-vjeçari i kapur...

I dënuar në Itali për prostitucion dhe organizatë kriminale, 51-vjeçari i kapur në Dibër është administratori i “Korabit”

Administratori i klubi të futbollit Korabi, Fehmi Meziu (Mëziu), është arrestuar nga njësia FAST e policisë së shtetit, pas një bashkëpunimi me Interpol Tiranën.

51-vjeçari nga Dibra është vënë në pranga për llogari të drejtësisë italiane, pasi Gjykata e Apelit në Napoli e ka dënuar me 13 vjet burg.

Meziu akuzohej për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe shfrytëzim prostitucioni.

Për të kanë nisur tashmë procedurat e ekstradimit drejt Italisë.

Meziu ka qenë administrator i Korabit përgjatë sezonit 2016-2017, kur klubi dibran luajti në Superligë. Edhe më përpara, 51-vjeçari ka qëndruar shumë pranë klubit dibran si investitor, pavarësisht se aksionet e klubit zotëroheshin nga bashkia Dibër.

Pas vitit 2016, Meziu pati një konflikt me ish-kryebashkiakun Shukri Xhelili, duke u dorëhequr nga drejtimi i klubit, për t’u rikthyer muaj më pas.

“Si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve në kohë reale, të mbështetura dhe nga inteligjenca policore, për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimin, të një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht, FAST Albania, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Rezultati”, i zhvilluar në qytetin e Peshkopisë, në kuadër të të cilit, u lokalizua, u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Italisë, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar Fehmi Meziu (Mëziu), 51 vjeç, banues në Dibër.

Gjykata e Apelit në Napoli, Itali, e ka dënuar këtë shtetas, me 13 vjet burgim, për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Organizatë kriminale”, të parashikuara nga Kodi Penal i Italisë.

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Romën, për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë“, njoftoi policia.