Policia e Shtetit vijon të marrë një numër të lartë të denoncimeve për dhunë në familje. Vetëm gjatë se enjtes, në mbarë vendin uniformat blu kanë trajtuar 12 raste të këtij fenomeni shqetësues, i cili u rikthye në vëmendjen e opinionit publik pas vrasjes së gjyqtares Fildez Hafizi nga ish bashkëshorti i saj.
Por, mesa duket ka edhe nga ata individë që edhe kur dënohen për këtë vepër penale, nuk heqin dorë.
I tillë është edhe rasti i një 40-vjeçari, i cili nga burgu ku vuan dënimin për dhunë në familje ka kanosur me anë të telefonit bashkëshorten e tij 37-vjeçare.
40-vjeçari me iniciale A.L., dyshohet se nëpërmjet telefonit, nga burgu ku vuan dënimin, ka kanosur bashkëshorten E.L., 37 vjeçe, banuese në Tiranë.
“Do ma paguash, ke për ta parë sa të dal”, mësohet të kenë qenë disa nga kërcënimet e tij ndaj së shoqes.
Gjithçka ka ndodhur pasi gruaja pas dhunës së pësuar nga i shoqi e kishte denoncuar në polici, duke çuar në arrestimin e tij.
Por pavarësisht mbylljes në qeli, ai nuk ka hequr dorë nga dhuna, kësaj herë verbale.
Kjo e fundit e ka kallëzuar në polici, ndërsa rasti i është referuar prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Pas rastit fatkeq të gjyqtares, të gjitha drejtoritë dhe komisariatet në vend janë porositur të ndjekin me përparësi rastet e dhunës në familje, ndërsa edhe autoritete të tjera kanë kërkuar forcimin e masave për goditjen e këtij fenomeni.
Një ndër to ishte dhe propozimi i Presidentit Ilir Meta, sipas të cilit, personat e dënuar për dhunë në familje nuk duhet të përfitojnë më lehtësira nga amnistitë që ndërmerren nga Ministria e Drejtësisë. Po ashtu edhe shoqëria civile ka reaguar duke zhvilluar disa protesta.