Presidenti rus Vladimir Putin nuk do të paraqitet më në zyrë dhe do të punojë nga shtëpia, pasi mjeku me të cilin shtrëngoi dorën një javë më parë ka rezultuar i prekur nga koronavirusi.
Zëdhënësi Dimitry Peskov, tha se presidenti do të merrte të gjitha masat. Ai po qëndron momentalisht në rezidencën presidenciale në Novo-Ogaryovo jashtë Moskës, nga ku edhe zhvillon me video-konferencë mbledhjet e kabinetit qeveritar.
Shqetësimet për shëndetin e liderit 67-vjeçar u rritën pasi një ditë më parë, mjeku Denis Protsenko, njëherësh shefi i spitalit kryesor në Rusi për koronavirusin, rezultoi pozitiv një javë pas takimit me presidentin. Të martën e kaluar, ata shtrënguan dorën e njëri-tjetrit, gjatë vizitës së Putin në spital.
Mjeku tha se ishte në gjendje të mirë, por edhe pse në pjesën më të madhe të kohës Putin mbante veshje mbrojtëse, u pa edhe pa to për disa momente. “Të gjithë ata që ishin me presidentin atë ditë në spital po testohen”, tha Peskov për gazetarët.
Rusia ka raportuar deri tani mbi 2700 raste me koronavirus, si dhe 24 viktima, pjesa kryesore në Moskë.