Asmter Bilali, 29 vjeç dje i dha lamtumirën e fundit babait, Astritit dhe xhaxhait të tij, Brahimit, të cilët u vranë në një atentat mafioz dy ditë më parë (të shtunën) në pragun e shtëpisë, në qytetin e Shkodrës. Lajmin e hidhur, Astmeri e mësoi në qeli. I riu ndodhet në paraburgim, në një masë arresti me burgi arrestuar në kuadër të operacionit “Oazi” që kapi një grup gjobvënësish në qytetin e Shkodrës.
Ish-kampioni boksi me Vllazninë, Astmer Bilali kërkoi leje në Drejtorinë e Burgjeve për të marrë pjesë në varrimin e babait dhe xhaxhait të tij, që dyshohet se u vranë në një luftë bandash, të pandalshme deri tani, dhe që kanë ngritur shtetin në këmbë për t’i luftuar. Një luftë mes fiseve Lici dhe Bajri.
Siç ligji e parashikon për persona të afërt të familjarëve të vdekur, Astmer Bilali doli nga qelia me lejen e autoriteteve. Nën masa të larta policie, ai u shoqërua për në varrimin e dy të afërmve të zemrës, mbajtur në qytetin e Shkodrës.
Gjyshi i tij, një ditë më parë kërkoi nga shteti, që Astmeri të qëndronte të paktën 2 ditë në shtëpi, për ta përballuar dhimbjen pranë njerëzve të afërt. Por burime nga drejtoria e Burgjeve, sqaruan për Shqiptarja.com se për shkaqe të tilla, ligji e parashikon dhënien e lejes për 4 deri në 6 orë. Kështu ka ndodhur edhe me Astmer Bilalin, konfirmojnë të njëjtat burime, i cili menjëherë pas përfundimit të ceremonisë mortore, është shoqëruar sërish nga forcat e policisë për të mbërritur në qelinë e paraburgimit në Tiranë.
Report tv, dje transmetoi foto ku tregohen momentet kur Astmer Bilali i rrethuar nga efektiv të policisë përshëndetet me miq dhe të afërm të cilët kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të dy vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali. Babai dhe Xhaxhai i Asmer Bilalit u vranë dy ditë më parë në lagjen Guerrile në Shkodër.