Vendimi vetëmohues i një infermiereje për t’i dhuruar një veshkë një djali 18-muajsh, i shpëtoi jetën këtij të fundit dhe historia e tyre fiton zemrat në të gjithë botën.
Bodie Hall, një djalë 18-muajsh nga St. Michael, në Minesota, lindi me një gjendje të quajtur “sindroma kongjenitale nefrotike”, që është një çrregullim i rrallë i veshkave.
Prindërit e tij e dinin se ai do të kishte nevojë për transplantim të veshkave, por as nëna e tij dhe as babai i tij nuk mund të ishin dhurues.
“Si i kërkoni dikujt tjetër të dhurojë një veshkë?”, tha nëna e Bodie, Gloria Hall.
Babai i Bodie, Brandon Hall, nuk kishte grupin e duhur të gjakut, ndërsa Gloria më parë i kishte dhuruar veshkat motrës së madhe të Bodie, e cila kishte të njëjtën gjendje.
Përfundimisht, veshkat e djalit do të dështonin, thanë familja e tij.
Ai u fut në një listë për transplantim të veshkave dhe mjekët i rekomanduan familjes që nëpërmjet rrjeteve sociale që të përpiqeshin të gjenin një dhurues.
Dhe ndodhi që ia behu infermierja Taylor Pikkarainen.
Ajo tha se lexoi historinë e tyre dhe pa një fotografi të të vegjëlve në Facebook dhe mendoi se ishte “gjëja më e ëmbël ndonjëherë”.
Pikkarainen, një infermiere nga Minesota, po punonte me pacientë me COVID-19 në New Jersey kur dëgjoi për Bodie.
“Unë plotësova dokumentet menjëherë,” kujton ajo.
Mjekët thonë se ishte e vështirë të gjeje një dhurues të mirë, e në rastin e Pikkarainen theksuan se ishte më e përshtatshmja midis disa dhuruesve të mundshëm të veshkave.
Transplanti u krye më 9 korrik, në ditëlindjen e kësaj infermiereje vetëmohuese.
“Ditëlindja ishte e ndryshme, por e mirë”, tha ajo gjysmë shaka.
Nëna e Bodie theksoi se nuk ka asnjë mënyrë për të shprehur se sa mirënjohës jeni ndaj dikujt që iu shpëtoi fëmijën.
“Thjesht nuk mund të besonim se ajo ishte e gatshme të bënte diçka të tillë për ne,” shtoi babai i Bodie.