Ajas Sulejmani, shoferi i automjetit Mercedes Benz G Class që përplasi çiftin e bashkëshortëve dhe foshnjen 3-muajshe, në momentin e aksidentit ka qenë me vajzën e tij në makinë. Pas përplasjes së frikshme të regjistruar mesditën e së dielës, 39-vjeçari mori vajzën e tij dhe përmes një të afërmi ai u arratis, por vetëm pas 2 orësh Sulejmani u arrestua në një spital privat në kryeqytet.
Pas arrestimit shoferi që përplasi çiftin dhe fëmijën tek vijat e bardha, rezultoi se drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike të llojit kanabis. Vetë Ajas Sulejmani përpara hetuesve deklaroi se largimi nga vendngjarja dhe fshehja në një spital privat u bë pasi ishte i tronditur, raporton Tv Klan.
Pavarësisht deklarimeve të bëra nga 39-vjeçari, ndaj tij policia ka ngritur 3 akuza. Konkretisht shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor për të cilën Kodi Penal parashikon dënim nga gjobë deri në 20 vite burg, largim nga vendi i aksidentit vepër kjo që klasifikohet si kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë deri në 1 vit burg, dhe drejtim mjeti në mënyrë të parregullt për të cilën kodi parashikon nga 10 ditë deri në 3 vite burg, por nuk përjashtohen rastet kur dënimi zëvëndësohet me pagimin e një shume të hollash.
Krahas veprave penale, Ajas Sulejmani u ndëshkua me masë administrative në vlerën 105 mijë Lekë, pezullim leje drejtimi për 24 muaj si dhe heqje të 15 pikëve nga patenta.