Sot duhet të ishte dita që do të merrte nënshtetësinë italiane, por një aksident fatal i preu jetën në moshë fare të re. Vdekja tragjike e 22-vjeçarit shqiptar Klodian Murrizi ka prekur mbarë komunitetin ku ai jetonte. Komuna e Gossolengo në provincën e Piacenza do ta shpallë ditë zie këtë të hënë, në nder të shqiptarit, i cili orët e para të së shtunës gjeti vdekjen në një aksident me makinë.
Mbrëmjen e së dielës ishin të shumtë ata që morën pjesë në dy vigjilje lutjesh, një në Gossolengo dhe një në kishën Preziosissimo Sangue. Mediat fqinje shpjegojnë se familja e Klodianit është myslimane, por vetë i riu kishte ndryshuar fe disa vite më parë dhe ishte pagëzuar. Prindërit e tij mësohet se kanë kërkuar një varrim të krishterë për 22-vjeçarin.
Ndërkohë sipas mediave gjendja shëndetësore e 22-vjeçarit tjetër që ndodhej në makinë me Klodianin vijon të jetë e rëndë.
Dy të rinjtë po ktheheshin në shtëpi, kur humbën kontrollin e automjetit, në timonin e së cilës ishte miku i të riut shqiptar. Makina doli nga rruga duke u përmbysur dhe më pas shpërtheu në flakë. Nga përplasja shoferi përfundoi jashtë mjeti, ndërsa Klodiani u bllokua brenda duke gjetur vdekjen. Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 04:00 të së shtunës, në Agazanna.