Dimensionet e “Kokës së ariut” nuk kalojnë ato të 7 centimetrave katrorë, por në shtëpinë e njohur për ankandet e saj, Christie’s, tensioni dhe përgatitjet janë të njëjta sikur në shitje të ishte një muze i tërë.
Nuk mund të ishte ndryshe, kur flitet për një nga vizatimet e pakta të Leonardo Da Vincit që ende gjenden në duar private dhe në shitje.
Studimi i një koke ariu të vizatur afro 500 vite më parë nga mjeshtri italian i Rilindjes do të dalë në ankand më 8 korrik në Londër, në një nga eventet më të pritura të vitit.
Vizatimi i vogël do të ketë një çmim fillestar prej 8 deri në 12 milionë sterlina, që organizatorët mendojnë se do të rritet së tepërmi gjatë ankandit. Vepra, pjesë e një studimi mbi kafshët të Leonardos, që përdori një teknikë të veçantë vizatimi për rastin ka qenë e pranishme në të gjitha ekspozitat e fundit mbi artistin gjenial, dhe ndodhet për momentin në New York, do të udhëtojë deri në Hong Kong përpara se të mbërrijë në kryeqytetin britanik.
Miti i Leonardos është i pashtershëm në Britaninë e Madhe, ku ndodhet një numër i lartë i veprave dhe studimeve shkencore të tij, boll të mendosh që mbretëresha Elisabeth zotëron koleksionin më të madh të veprave të rilindësit.
Ndërkohë, vizatimi i ariut ka një histori të veçantë, ku fillimisht ka qenë në pronësi të piktorit të njohur Thomas Lawrence, dhe më pas vepra ka kaluar tek disa koleksionistë që nuk e kanë vlerësuar si origjinale dhe të vlefshme, aq sa në 1860 u shit për pak më shumë se 2 sterlina.