Prokuroria Tiranë ka kërkuar ‘Arrest me burg’ për shtetasin nigerian S.N., i cili nëpërmjet mashtrimit kompjuterit mori 25.000 euro nga biznesmeni shqiptar.
Ai akuzohet për Veprën Penale “Mashtrimi Kompjuterik”.
Ka qenë biznesmeni shqiptar E.B i cili prej 10 vitesh administron biznesin e tij në import detergjentësh kryesisht nga Italia, që denoncoi mashtrimin e bërë nëpërmjet e-maileve.
Si i mori paratë nigeriani?
Gjatë aktivitetit të tij ndër vite biznesmeni komunikonte me palën italiane nëpërmjet e-mailit me qendër në Bolonja, Itali ku dhe bënte transferta për mallin që merrte. Në datën 07.09.2020 i vjen një e-mail ku i kërkohej të dërgonte shumën prej 25.000 euro në llogari të kompanisë po tashmë jo në Itali, por në Gjermani.
Biznesmeni nuk e konstatoi që trasferta e eurove nga Italia duhet të dërgoheshin në Gjermani duke kryer pagesën dhe vetëm kur pala italiane kërkoi pagesën kuptoi mashtrimin.
Në vazhdim të hetimeve paraprake iu dërguan letër porosi për ndihmë gjyqësore autoriteteve gjyqësore në Republikën e Gjermanisë dhe Republikën e Turqisë për të identifikuar IP-në me të dhënat përkatëse.
Me mbërritjen e letërporosive u identifikua se autori i mashtrimit dhe përfituesi i 25.000 eurove ishte shtetasi nigerian S. N., lindur në Warri, Nigeri dhe banues në Dublin, Irlandë.