Nikoll Sherrniku, personi që dyshohet se ndihmoi me logjistikë, autorët e masakrës në Don Bosko, ka dalë këtë të premte përpara gjykatës ku u njoh me masën e sigurisë së “Arrestit me burg”.
Sherrniku akuzohet se siguroi në Gjermani targat gjermane për makinën e personave që morën pjesë në atentatin nga ku mbeti e vrarë banakierja e lokalit të Fation Muratit, Mimoza Paja.
Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se është marrë dëshmia e një pronari servisi në Gjermani, shtetas kosovar i cili ka deklaruar se targat i ka marrë Sherrniku.
Gjithashtu në dosjen hetimore thuhet se një mik i Sherrnikut nga Fushë-Kuqja ka deklaruar se “targat i ka marrë Nikolli për llogari të Ervis Martinaj sepse donte t’i shmangej policisë”.
Sherrniku njihet si një person i afërt me Brilant Martinaj i ekzekutuar në mbikalimin e Fushë Krujës, por dhe i të zhdukurit Ervis Martinaj.
28-vjeçari ka qene i dyshuar dhe ndaluar për vrasjen e ish-policit Xhulio Prela, por më pas është liruar për mungesë provash.
Në gusht të vitit të kaluar Sherrniku është arrestuar për armëmbajtje pa leje gjithashtu. Prokuroria pretendon se targat i ka siguruar para se të kapej nga policia./ Euronews Albania