I nxehti afrikan ka përfshirë prej disa ditësh Europën dhe pasojat e tij po fillojnë të ndjehen. Viktima dhe vatra të mëdha zjarri raportohen në disa vende për shkak të temperaturave të larta që në disa zona kanë arritur deri në 44° Celsius.
Në rajonin e Katalonjës në Spanjë janë djegur rreth 20 mijë hektarë me pyje dhe shkurre për shkak të zjarreve të shkaktuara nga i nxehti. Flakët janë përhapur me shpejtësi si pasojë e erës së fortë.
Autoritetet kanë nxjerrë dhe helikopterët për të ndihmuar në fikjen e flakëve.
Vatra të mëdha zjarri janë regjistruar gjithashtu në Poloni, Çeki dhe verilindje të Gjermanisë.
Në Francë, është vendosur që në qytetet kryesore të ndalohet qarkullimi i mjeteve që shkaktojnë ndotje të madhe. Dhjetëra shkolla u mbyllën pasi nuk kanë mjaftueshëm ajër të kondicionuar. Deri tani autoritetet franceze raportojnë se 3 persona kanë humbur jetën për shkak të atakut kardiak ndërsa hynin për t’u larë në dete apo liqene.
Ministria e Brendshme në Poloni deklaron se 90 persona janë mbytur këtë muaj ndërsa tentonin të freskoheshin dhe liqene dhe lumenj. Viktima janë regjistruar dhe në Lituani, Greqi, Gjermani.
Meteorologët deklarojnë se këto temperatura të larta janë të pazakonta për muajin qershor dhe se dita e premte pritet të jetë dhe më e nxehta.
Temperatura më e lartë pritet të shënohet në Spanjë ku termometri pritet të tregojë 45° Celsius.