Me rastin e 21-vjetorit të fillimit të misionit ushtarak të NATO-s në Kosovë, një djalë nga Kosova, i quajtur Shpend Lila, i shkroi në Twitter Ministrit të Mbrojtjes të Italisë, Lorenzo Guerini, duke i kërkuar që ta ndihmonte të gjente një ushtar italian përmes një fotografie të vitit 1999, ku ata kishin dalë bashkë dhe ministri e gjeti.
Lila i shkruante ministrit: “I dashur Ministër, kjo është një fotografi e imja me një ushtar italian në vitin 1999. Ju lutem, më ndihmoni ta gjeni atë që të mund ta ribëjmë këtë foto në Gjakovë, Kosovë 🙂 Do të ishte e mrekullueshme”.
Dear Shpend, we've got good news for you: we've found the soldier in your photo. Please send us your contact details on a private chat so he can get in touch with you. 🇮🇹❤️🇽🇰 https://t.co/7w8GIvg5ys
— Ministero Difesa (@MinisteroDifesa) June 18, 2020
Ndërsa ministri i përgjigjet: “I dashur Shpend, kemi një lajm të mirë për ju. E kemi gjetur ushtarin në foton tuaj. Ju lutemi, na dërgoni kontaktet tuaja privatisht, në mënyrë që ai të kontaktojë me ju”.
Asokohe, ushtari italian ishte paraqitur si vullnetar dhe ishte pjesë e regjimentit 9 të parashutistëve, të quajtur “Col Moschin”. Sot, ai është oficer dhe shërben në disa sektorë kyç të ushtrisë italiane dhe e kujtonte atë moment, duke shprehur kënaqësinë që të ritakohej përsëri me djalin nga Kosova.