Kryesore I rrethuar nga truprojat, momenti kur Shkëlzen Berisha përplaset me një agjent...

I rrethuar nga truprojat, momenti kur Shkëlzen Berisha përplaset me një agjent civil

Në pamundësi për të dalë në shesh babai i tyre, Shkëlzen dhe Argita Berisha ishin dje pjesë e protestës së opozitës përpara kryeministrisë. Edhe pse qëndruan larg podiumit, dhe nuk mbajtën fjalime në këtë protestë, nuk munguan incidentet në prapaskenë. Shkëlzen Berisha, dhe disa persona të tjerë që e shoqëronin, persona që i kemi parë në protesta si truproja të Berishës, janë përplasur me një efektiv policie civil menjëherë pas përfundimit të protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Sipas A2 CNN, Shkëlzen Berisha po filmonte me celularin e tij shoqërimin e dy të rinjve nga ana e policisë, kur një prej efektivëve i është afruar dhe e ka kapur nga dora duke u përpjekur ta ndalonte që të filmonte, por pa ia arritur.

Menjëherë janë afruar edhe mbështetës të tjerë të opozitës të cilët i kanë kërkuar llogari efektivit civil, ndërsa ky i fundit u larguar.

Ndërkohë, katër persona janë vënë në pranga dhe për gjashtë të tjerë kanë nisur hetimet pas trazirave të krijuara gjatë protestës së opozitës, mbrëmjen e 20 shkurtit.