Një video e xhiruar me dron ka kapur momentin tragjik kur një punëtor nuk arrin të futet në kohë në vinç dhe humb jetën ndërsa godina poshtë këmbëve të tij shkërmoqet totalisht.
Pamjet e xhiruara nga agjencia e lajmeve “Fontanaka” vijnë nga qyteti rus Shën Pjetërburg, ku punëtori, një 29-vjeçar i quajtur Matvey Kucherov, fatkeqësisht humbet jetën, ndërsa kolegu i tij shihet që ia ka dalë të ngjitet në vinç dhe të shpëtojë i gjallë.
Ministria ruse e Emergjencave tha se po kërkohej për trupa të tjerë që mendohet të jenë bllokuar nën rrënoja. Punëtorët ishin pjesë e ekipit që po merrej me prishjen e Kompleksit të Sporteve dhe Koncerteve në qytetin e dytë më të madh rus, në vend të të cilit është planifikuar të ndërtohet arena më e madhe e akullit.
Punëtorët po prisnin strukturat të cilat mbanin murin e stadiumit të ngjitur pas çatisë kur godina gjigante u shemb plotësisht.
Kompleksi sportiv ishte ndërtuar në vitin 1980 para Olimpiadës së Moskës ndërsa po rindërtohej për të pritur Kampionatin Botëror të Hokejit në Akull të vitit 2023.