Kreu i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame, ka shkuar në Vlorë për të prezantuar drejtorin e ri të Kadastrës, Andi Binajn, që është i 8-ti në harkun e 10 muajve të fundit.
Gjatë fjalës së tij para administratës, Lame renditi disa prej problematikave të këtij qarku sa u përket pronave.
“Për fat të keq Vlora po paguan kusuret e 30 viteve në papërgjegjshmërinë e pronave. Kanë qenë probleme procesesh gjyqësore nga 5 e 10 vite. Kanë qenë vendimet e prokurorisë për zbulimin e grabitjes së pronës shtetërore e private. Kanë qenë konflikte civile që kanë mbushur kronikat e zeza të mediave. Vlora nuk është vetëm bregdet, por ka shumë zona të mëdha bujqësore dhe blegtoriale. Procesi i legalizimit nuk ka ecur keq. Janë kryer mbi 10 mijë dhe drejtorit të ri do i dalë detyra për të përshpejtuar këtë proces”, tha Lame.
Drejtoria e Vlorës është ndër më të rëndësishmet në Kadastrën Shqiptare, ofron shërbime kadastrale për tre bashki njëherësh me 106 zona Kadastrale, 28 janë ende pa regjistrim fillestar të pronave me 65 mijë pasuri të paluajtshme.
Ndërsa, drejtori i ri, Andi Binaj, tha se gjatë punës së tij do të flasin faktet.
“Quhem Andi Binaj, lindur dhe banues në qytetin e Vlorës. Kam arsim të lartë në drejtësi. Kam punuar në sektorin e marrëdhënieve me publikun. Duke parë gjendjen e Kadastrës Vlorë, dua ta përmbledh me një fjali: Le të flasin faktet, jo fjalimet”, tha Binaj.