Dhjetë ditë pas rrëmbimit të Jan Prengës në Kamëz, Policia e Shtetit dhe forcat RENEA zhvilluan këtë të hënë një operacion në Shijak, aty ku dyshohej se mbahej peng 49-vjeçari.
Kontrolle të imtësishme u ushtruan në disa banesa dhe objekte të braktisura, si dhe tek kompleksi “Golden” në pronësi të vëllezërve Hajri. Edhe pse ende nuk ka asnjë të dhënë mbi vendndodhjen e 49-vjeçarit Jan Prenga, policia e Tiranës ka vijuar hetimet intensive edhe për të zbuluar motivin e rrëmbimit të tij.
Burime pranë grupit hetimor sqaruan se rrëmbimi ka të bëjë me një formë kërcënimi ndaj njërit prej vëllezërve të Prengës, për të cilin autoritetet shqiptare kanë siguruar informacion se është i përfshirë në trafikun e drogës së Angli. Të njëjta burime sqaruan se dyshimet janë se vëllai i tij nuk ka dorëzuar një sasi droge prej rreth 16 kg kokainë.
Vetë 49-vjeçari nuk rezulton të jetë person me të kaluar kriminale, apo si person i skeduar me precedentë të mëparshëm, e ndërsa deri më tani, e vetmja pistë hetimi është ajo e konflikteve për shkak të të vëllait. Pas kontrolleve të ushtruara nga Shijak, efektivët gjetën në kompleks një armë zjarri, e ndërsa shoqëruan në polici dy persona për veprime të mëtejshme.
Jan Prenga u rrëmbye mesditën e 17 Janarit në zonën e Kamzës nga të paktën dy persona ende të paidentifikuar, e ndërsa vetëm pak orë pas ngjarjes policia gjeti të djegur në rrethinat e Durrësit mjetin tip “Range Rover” me ngjyrë të bardhë, i dyshuar i përdorur nga autorët.