Aktualitet I vetëm në qeli, Tahiri u takua sot me familjarët, pritet transferimi...

I vetëm në qeli, Tahiri u takua sot me familjarët, pritet transferimi në një tjetër burg

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri prej tre ditësh po mbahet i izoluar në burgun 313-të Jordan Misja, pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Posaçme e Apelit që e dënoi me 3 vite katër muaj burg. Paraditen e së hënës Tahiri ka zhvilluar takime në ambientet e paraburgimit me familjarët dhe dy avokatët e tij mbrojtës, Maks Haxhiaj dhe Dritan Jahaj.

Në një intervistë për ABC, Jahaj tregoi se Tahiri ishte i qetë, ndërsa në ditët në vijim do t’i drejtohen me rekurs Gjykatës së Lartë për vendimin e apelit.

Ish-ministri qëndron i izoluar në katin e dytë të godinës numër dy të këtij institucioni dhe qëndron në një dhomë i vetëm i pajisur me frigorifer dhe televizor.

Burime nga drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëjnë me dije se, në ditët në vijim pritet transferimi i tij në burgun e Rrogozhinës, kjo për shkak se burgu i Vaqarrit është në rikonstruksion.

Për një periudhë 10 ditore ish-ministri do të jetë në vëzhgim nga autoritetet e burgjeve për arsye sigurie kjo për shkak se në ambientet e burgut 313 qëndrojnë të dënuar me rrezikshmëri të lartë.

Saimir Tahiri u dënua nga Gjykata e Apelit të Posaçëm me 3 vite e katër muaj burg për shpërdorim detyre.