Sport Nuk mund të quhet krizë, por disa shifra të Interit në ndeshjet...

Nuk mund të quhet krizë, por disa shifra të Interit në ndeshjet e fundit janë shqetësuese

Humbja e një ndeshjeje, pas katër muajsh si “marsian”, do të ishte e gabuar dhe e padrejtë të barazohej me krizë. Interi mund të ketë dështuar në derbin e fundit, por luan me “Scudetto” në gjoks, sapo ka fituar Superkupën dhe mbetet në krye të renditjes, me një ndeshje për ta rikuperuar, atë kundër Bolonjës.

Megjithatë, ndjesitë dhe shifrat e sfidave të fundit tregojnë se skuadra e Inzaghit po përjeton një moment, në të cilin diçka nuk funksionon më si në fund të vitit 2021. Nëse dikush dëshiron ta shohë gotën gjysmë bosh, kujtojmë: në 5 ndeshjet e fundit, Interi ka mundur vetëm Venezia në minutën e 90-të, me vuajtje të mëdha.

Për pjesën tjetër janë sukseset në minutën e 120-të ndaj Juves dhe Empolit, barazimi në Bergamo dhe k.o. në derbi ato që flasin më qartë. Pasi pësoi 2 gola në 9 javët e mëparshme, Handanovic që nuk reagoi dot ndaj Giroud ka pësuar po aq gola në pak më shumë se tre minuta. Rezultat i gabimeve individuale, por edhe i një situate që dëshmon se diçka nuk shkon.

Dhe kështu, nga derbi (ai i tetorit 2020) deri në derbin e fundit u ndërpre një seri pozitive prej 28 ndeshjesh. Krahas përmbysjes së parë në një derbi që nga shkurti i vitit 2004, në ndeshjen e fundit thuhej edhe se Interi kishte dy fytyra (9 goditje me 3 në 45 minutat e parë, 1 goditje me 7 në pjesën e dytë).

Është e vërtetë që Maignan dha kontributin e tij me të paktën nja dy ndërhyrje të shkëlqyera, por Interi pësoi dy gola. Zikaltrit janë ende sulmi më i mirë i Serie A (53 gola, me 20 golashënues të ndryshëm), por në 5 sfidat e fundit, Lautaro dhe Sanchez kanë mbetur thatë; Dzeko është ndalur në goditjen me kokë, që likuidoi Venecian.