Sport Ibra befason sërish: Dua të bëhem aktor, por asgjë nuk do të...

Ibra befason sërish: Dua të bëhem aktor, por asgjë nuk do të jetë si futbolli

Zlatan Ibrahimovic, sulmuesi i Milanit, kujtoi në një intervistë në programin “Mi Casa” të Radio 105, të kaluarën e tij te Barcelona, ​​dashurinë e tij për presidentin Adriano Galliani dhe se si ai përballet me të ardhmen.

“Unë e adhuroj Gallianin. Kur isha në Barcelonë, nuk isha i lumtur dhe nuk kisha adrenalinë. Adriano më thirri dhe më tha: ‘Këtë herë do të kthehesh në Itali dhe do të luash për Milanin. Unë nuk ngrihem nga vendi derisa ju të pranoni’. Ai është një zotëri, me të dhe me Berlusconin isha sërish i lumtur”, – shpjegon Zlatani.

Ibra pohon se më pas pati ulje-ngritje me Gallianin:

“Kur u largova nga Milani, isha shumë i inatosur me të. Nuk fola me të për tetë muaj. I thashë: ‘Shite të gjithë ekipin, por jo Ibrën’. Më premtoi se nuk do të më shiste, por në verë më shpjegoi situatën dhe më shitën te PSG. Nuk isha më i lumtur…”.

Për atë që e pret në vitet në vijim, ai tha: “Kam besim në gjithçka që po bëj. Nuk e di deri ku do të shkoj, por gjithmonë përpiqem të shkoj përtej limiteve. Pse të jem normal, kur mund te jem më i fortë? Te shohim për të ardhmen. Jam kurioz për disa gjëra: p.sh. të bëhem aktor…Diçka që më jep adrenalinë. Por asgjë nuk do të jetë si futbolli. Kam shumë projekte, por tani fokusi im është të jem futbollist”.