Politika “Ia bëra të qartë Putinit”, Scholz: Vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin...

“Ia bëra të qartë Putinit”, Scholz: Vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin BE-së

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, deklaroi në Konferencën e Sigurisë në Mynih se ia kishte bërë të qartë Presidentit rus, Vladimir Putin, se vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë zgjedhur rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian.

“Ai gjithmonë kujtonte konfliktin në Jugosllavi dhe tha se NATO u tregua agresive kundrejt një populli që nuk po bënte asgjë. Unë iu përgjigja se ne po përpiqeshim të shmangnim gjenocidin. Gjithashtu i thashë që popujt e Ballkanit Perëndimor janë absolutisht të vendosur të bëhen anëtarë të Bashkimit Europian. Ai më tha se gjenocid po kryen Ukraina në Donbas, diçka që mu duk totalisht qesharake”, tha Scholz, duke kujtuar bisedën me Putin në Moskë disa ditë më parë.

Deklarata vjen një ditë pas akuzave të ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, se mercenarë nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina po rekrutohen për të luftuar në krahinat separatiste në Ukrainë. Lavrov tha gjithashtu se vendet e Ballkanit nuk ishin histori suksesi, por ishin shndërruar në baza të terrorizmit dhe trafikut të drogës.

Scholz foli edhe për stadin e integrimit të Ballkanit Perëndimor. Ai kërkoi më shumë përpjekje për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. “Nuk mjafton që të përmendim perspektivën e zgjerimit për këtë rajon si qëllim strategjik”, tha Olf Scholz, “por duhet ta çojmë përpara atë në mënyrë aktive”.

“Dhe kur flas për Bashkimin Europian atëherë i përfshij edhe vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Scholz. Në të njëjtën kohë ai paralajmëroi nga “zhvendosjet gjeopolitike të pushtetit”, që mund ta lenë BE mbrapa. “Ne europianët do të ruajmë aftësinë tonë vepruese, autonominë tonë vendimmarrëse vetëm atëherë kur ta bashkojmë vullnetin tonë dhe aftësitë tona në Bashkimin Europian”, tha Scholz. Për kancelarin gjerman, “BE është kuadri ynë veprues, shansi ynë të mbesim fuqi mes fuqive. Për këtë bëhet fjalë, kur flasim për sovranitet europian.”

Bisedimet për hapjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut ecin shumë ngadalë përpara, ndërkohë që vende të tjera si Kosova apo Bosnje-Hercegovina kanë ngecur në rrugën e integrimit në BE. Asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka momentalisht një perspektivë të qartë kohore për anëtarësim edhe për shkak të rezervave brenda vendeve të BE.