Gjithmonë ai, gjithmonë Zlatan! Dhe gjithmonë me antipatinë e tij ndaj Cristiano Ronaldos (fjalë e përsëritur shpesh: Ronaldo i vërtetë është ai braziliani!).
Kundër Juventusit, në atë që ndoshta mund të jetë ndeshja dhe përballja e fundit e madhe për suedezin ndaj Juventusit e Ronaldos (po shkon 40 vjeç), Ibrahimovic hoqi një merak personal…
Duke mbështetur shokët e tij me përvojë, lidership dhe duke realizuar penalltinë që hapi rrugën për përmbysjen magjike dhe të pabesueshme.
Përpara se të afrohej te pika e bardhë, Cristiano shkoi te portieri i tij Szczesny dhe i tha: “E njeh këtë, apo jo?!” Praktikisht si për t’i dhënë mesazhin “pritja penalltinë”.
Zlatan niset, godet me ftohtësi: portieri në një anë, topi në tjetrën. Më pas, një buzëqeshje ironike drejtuar Ronaldos që kthen shpinën dhe gjithashtu nuk e mban të qeshurën. “Siç duket nuk më njihni akoma”, duket sikur thotë…
E ndërsa ulet në stol më pas dhe Milani nis të dhurojë spektakël duke shënuar gola pas golash, në stol, në fund, në rolin e trajnerit, bën edhe një gjest drejtuar Andrea Contit, që në atë moment po protestonte te arbitri. “Mos flit shumë…”.
Ndërkohë, suedezi arrin Shevchenkon, lavdinë e madhe kuqezi, në kuotën e 127 golave në Serie A. Për të qenë një njeri me valixhe nuk është edhe aq keq…