Në një intervistë për “Sky Italia”, sulmuesi Zlatan Ibrahimoviç e ka cilësuar trajnerin Pep Guardiola të “papjekur” në lidhje me menaxhimin e situatës së tij kur luante në “Camp Nou” për Barcelona-n. Sulmuesi suedez iu bashkua teknikut katalanas te Barcelona në vitin 2009 nga Inter, por dështoi që të bëhej protagonist në La Liga dhe akuzoi Pep-in se ai vendosi ta ndërtonte skuadrën rreth Messi-t.
Guardiola i dha vetëm 29 prezenca gjatë bashkëjetesës 1-vjeçare në Katalonjë, ku 36-vjeçari shënoi 13 herë në 23 ndeshje si titullar. “Gjashtë muajt e parë ishin perfektë, pastaj trajneri ndryshoi sistem, taktikat dhe nuk funksionoi më për mua. Shkova për të folur me të. ‘Mendoj se po më sakrifikon mua dhe disa lojtarë të tjerë për një futbollist, Mesin’, – i thashë. ‘Nuk mendoj se është kështu, por e kuptoj atë çfarë po më thua’, – m’u përgjigj.
Do ta zgjidh unë gjithçka, mos ki merak’. Mendova se gjithçka do të sqarohej. Ndeshjen tjetër isha në stol. Nuk thashë asgjë dhe vazhdova punën. Në të dytën, sërish në stol. Mendoja se e kishte zgjidhur dhe isha thjesht jashtë për çështje taktike. Por ai vazhdonte të mos më jepte shpjegime dhe mos fliste me mua.
Ndeshja e tretë, sërish në stol. E katërta, po ashtu. Mendova se ka diçka të çuditshme. Ai nuk më foli dhe nuk më pa më. Unë futesha në një dhomë, ai dilte prej andej. Nuk ishte një person i keq, por ishte trajneri më i papjekur që kam pasur ndonjëherë sepse një burrë i zgjidh problemet” – ka deklaruar Ibrahimoviç, i cili është rikthyer te Manchester United pas dëmtimit, por aktivizimet i ka të pakta, pasi ende nuk është 100% në formën e tij.