Sport Ibrahimovic lë pas dëmtimin, pritet në fushë përballë Romës

Ibrahimovic lë pas dëmtimin, pritet në fushë përballë Romës

E ardhmja e Zlatan Ibrahimovic duket larg Milanit, pasi sulmuesi suedez duket i bindur të mos rinovojë kontratën me kuqezinjtë, kjo edhe për shkak të një krisjeje të raporteve të tij te administratorin e deleguar Ivan Gazidis.

Sulmuesi suedez shprehu hapur kundërshtitë e tij me mospajtimin me mënyrën si po menaxhohet klubi kuqezi, ndërsa edhe paga e tij e majme prej 8 milionë eurosh në sezon, është gjithashtu pengesë për rinovimin.

Megjithatë Ibra është gati të bëjë më të mirën deri në fund të muajit korrik, kur edhe pritet të përfundojë sezoni 2019-2020, ndërsa sot i është nënshtruar një tjetër ekzaminimi mjekësor për të parë si po ecën rikuperimi nga dëmtimi.

Lajmet që vijnë nga Milanello janë mjaft pozitive, pasi sulmuesi 38-vjeçar pritet të rinisë stërvitjen nën urdhrat e Piolit këto ditë, ndërsa planet janë që të zbresë në fushën e lojës për ndeshjen me Romën më datën 28 qershor.

Ibra pritet të jetë një vlerë e shtuar për Milanin në sprintin final të sezonit, duke qenë se kuqezinjtë do të provojnë deri në fund të sigurojnë një vend në Kupat e Europës nëpërmjet kampionatit, duke qenë se nga Kupa u eliminuan në gjysmëfinale.