Rrjetet televizive argjentinase dhe gazetat kryesore në këtë vend e quajnë të sigurtë largimin e futbollistit më të vlefshëm të Interit, nga skuadra zikaltër.
Mauro Icardi nuk pritet të rinovojë kontratën me ekipin milanez, marrëveshje e cila skadon më 30 qershor të vitit 2021, madje rinovimi i shumëpritur mes palëve ka hyrë në një fazë kaotike prej pretendimeve ekonomike, e mbi të gjitha egos së gruas së sulmuesit, që bën gjithashtu dhe menaxheren.
Ëanda Nara i komunikoi Interit se futbollisti i përfaqësuar prej saj nuk do të përkushtohej në një akord të ri, kjo pas problemeve në negociatat për rinovimin. Ky pozicion zyrtar i jep të drejtë Mauro Icardit që të kërkojë tratativa me gjigantët europianë, që e kërkojnë prej kohës. Në radhë janë Real Madrid dhe Chelsea, e pak më i distancuar edhe Juventusi.
“Shifrat për të cilat flitet nuk janë të sakta dhe ne ende nuk na ka ardhur një propozim i kënaqshëm. Nuk është logjike që Mauro të rinovojë me të njëjta kushte, pasi është në nivel tjetër. Ne jemi në raporte të mira edhe me dy klube në Spanjë”, tha agjentja e sulmuesit argjentinas.
Inter është gati t’i ofrojë 7 milionë euro në sezon, por kapiteni duket se kërkon më shumë.