Kanë kaluar tre muaj nga fundi i sezonit të kaluar, ndërsa sot fillon përsëri Serie A. Gjatë gjithë kësaj kohe, Mauro Icardi nuk e ka ndryshuar mendjen qoftë edhe për një sekondë. Edhe në këto ditët e fundit të merkatos, argjentinasi vijon të konfirmojë dëshirën për të qëndruar tek Interi. Sipas “Sky Sport”, argjentinasi nuk dëshiron të largohet nga ekipi zikaltër dhe është optimist se mund ta bindë Antonio Conte që të paktën të ketë një shans.
Dhe në fakt ditët e fundit kanë mbërritur dy shenja të tjera për ta mbështetur këtë tezë: fanella me numrin 7, e kërkuar dhe e dhënë nga Interi (sigurisht, jo një numër i përshtatshëm për një startues) dhe shtëpia e re, e blerë në Milano. Në gjithë këtë “telenovelë”, hija e Juventusit vazhdon të mbetet gjithnjë e pranishme, por deri më tani nuk ka marrë asnjëherë trajtën e ofertës zyrtare. Nga Interi njoftojnë se, në rast të kërkesës nga bardhezinjtë në ditët e fundit të merkatos, zikaltrit do të pyesin më shumë se çfarë ofron Napoli dhe Roma.
Shuma e kërkuar nga Interi për Juventusin, në rast të një oferte, duhet të jetë 70 milionë euro. Zikaltrit nuk kanë ndërmend të bëjnë zbritje, madje edhe me rrezikun që lojtari argjentinas të mbetet nën hyqmin e Contes, si i padëshiruar. Ndërkohë, Juventusi ka caktuar numrat e fanellave dhe e ka lënë të lirë “9”. A mund të jetë një sinjal ky? Do ta zbulojmë përfundimisht vetëm më 2 shtator, ditën kur mbyllet merkatoja e kësaj vere.