Nëse do të ishte në vendin e Bashës, deputeti Astrit Patozi do t’i propozonte kryeministrit Rama që pasi të pranojë qeverinë teknike, kryeministrin e ardhshëm të propozojë PS.
Deklaratën Patozi e bëri në studion e lajmeve në Ora News, i cili tha se nuk beson në asnjë skenar të protestës.
Deputeti demokrat tha se qëllimi është një dhe i vetëm, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe nëse krijohet qeveria kujdestare, opozita do të votojë vettingun.
Pjesë nga intervista
Patozi: Unë nuk besoj që ka interes publik që ne të diskutojmë kaq gjatë për stilin apo për retorikën e Bashës përsa kohë që nuk ka asgjë të re në kërkesat tona. Ne thjesht duhet të diskutojmë çfarë po ndodh me protestën dhe kush është përgjigja nga ana tjetër. Kjo i intereson publikut dhe jo stili apo retorika që përdor Basha.
Janë të parëndësishme këto thirrje?
Patozi: Edhe ato kanë kuptimin e tyre përsa kohë protesta nuk do provokohet ajo do të vijojë e qetë, por përsa kohë do përballet me shurdhërinë me fyerjen e palës tjetër sigurisht do ketë një reagim tjetër. Nuk ka asnjë nevojë për të diskutuar retorikën e Bashës sot përsa kohë ishin mijëra shqiptarë në 18 shkurt që marshuan të qetë. Ata ishin në një numër të tillë për të përmbysyr 10 qeveri.
Këto thirrje kanë një skenar?
Patozi: Unë nuk besoj në asnjë skenar. Protesta është solide në kërkesën e vet. Opozita kërkon zgjedhje të lira dhe të ndershme. Gjithçka tjetër që presupozohet është thjesht anashkalim i thelbit.