Bordi i Shoqatës Ndërkombëtare të Futbollit (IFAB) ka dhënë miratimin për propozimin e FIFA-s për lejimin e 5 zëvendësimeve për ndeshje, në takimet që pritet të luhen gjatë “maratonës verore” për të rikuperuar ndeshjet e mbetura të sezonit 2019-2020.
Shumë kampionate pritet të fillojnë në gjysmën e dytë të majit dhe në fillim të qershorit, ndërsa plani i UEFA-s është që të gjithë ndeshjet e planifikuara të zhvillohen brenda muajit gusht, që do të thotë se skuadrat do të duhet të zbresin në fushë çdo tre ditë.
Ngarkesa fizike për futbollistët pritet të jetë shumë e madhe, ndaj FIFA hodhi idenë e aplikimit të 5 zëvendësimeve për ndeshje, në mënyrë që trajnerët të menaxhojnë më mirë lodhjen te lojtarët e tyre.
Por për të mos shkaktuar vonesa të shumta me zëvendësimet, IFAB ka menduar një tjetër zgjidhje, pasi ka lejuar 5 zëvendësime për çdo skuadër, por këto duhen kryer në vetëm 3 momente gjatë lojës, përveç atyre që mund të bëhen në pushimin mes pjesëve.
Pra thënë ndryshe, një trajner nuk mund ta ndërpresë më shumë se tre herë lojën, për të zëvendësuar lojtarët e tij dhe të 5 zëvendësimet duhet t’i shfrytëzojë brenda këtyre tre mundësive që ka.