Barazimi me Torino nuk i ka kaluar lehtë Lazios, që është tërbuar me arbitrin e ndeshjes së përfunduar 1-1 në Olimpico. “Episodet vendosën ndeshjen – tha Simone Inzaghi -.
Gabimet ishin në sytë e të gjithëve, por pas asaj që ndodhi vitin e kaluar nuk flas më për arbitrat”. I ashpër sulmi i drejtorit sportiv bardhekaltër Igli Tare: “Jam komplet i hutuar nga arbitrimi i kësaj ndeshje”.
Tekniku i Lazios, Inzaghi ka mbetur krejtësisht i zhgënjyer nga rezultati i një ndeshje, ku të paktën në pjesën e parë u dominua nga bardhekaltrit: “Në pjesën e parë nuk kishte ndeshje, por për fat të keq gabuam finalizimin.
Është zhgënjim i madh sepse meritonim fitoren. Nuk e kuptoj, Torino duhej të mbetej me 10 lojtarë shumë më herët, ndërsa pesë minuta nga fundi kishte 11 metërsh ndaj Acerbit”.