Pas 18 vitesh, Igli Tare largohet nga Lazio. Këtë e ka bërë të ditur vetë menaxheri në mikrofonat e “Tg1”. Këto janë fjalët e tij: “Pas 18 vitesh do të marrë fund përvoja ime e mrekullueshme si drejtor sportiv i S.S. Lazio”.
Më pas, ish-drejtori tashmë bardhekaltër vazhdoi: “E kam bërë këtë zgjedhje prej disa kohësh, por kam pritur të mirën e Lazios për të arritur objektivin e Champions League, i vetëdijshëm se kam ndërtuar një ekip të fortë, me lojtarë të jashtëzakonshëm, të aftë për ta arritur këtë qëllim. Ishte një aventurë e gjatë dhe intensive e përbërë nga gëzime, humbje dhe trofe.
Nuk do të ndalem së falënderuari presidentin Lotito për mundësinë që më dha mua, tifozët bardhekaltër që hynë në zemrën time, klubin me të gjithë përbërësit e tij, lojtarët, stafin dhe të gjithë ata që më kanë qëndruar pranë në këtë rrugëtim. Një falënderim i veçantë mbi të gjitha shkon për familjen time që më ka qëndruar gjithmonë pranë”.
Në fund, Tare përfundoi: “Një mundësi prestigjioze që pata si lojtar dhe si menaxher dhe që nuk do ta harroj kurrë, duke marrë me vete çdo moment të këtij rrugëtimi. Largohem me shpresën që secili prej jush do të vazhdojë me të njëjtin pasion që kisha unë, për ta ruajtur me xhelozi këtë realitet të bukur. Gjithmonë, forca Lazio!”