Kryesore Albin Kurti për The Times: Kemi nevojë për SHBA e BE, por...

Albin Kurti për The Times: Kemi nevojë për SHBA e BE, por nuk i dorëzohemi mikut të Putinit

“Kryeministri i Kosovës ka pamjen e lënduar të një djali të ri në shkollë, i cili mendon se ka bërë gjithçka që duhet për t’u përshtatur, por prapë zbulon se askush nuk e pëlqen. Por prapë Albin Kurti, i cili dërgoi kryetarët shqiptarë në 4 komunat me shumicë serbe, pavarësisht këshillës së partnerëve ndërkombëtarë për të mos e bërë këtë, nuk është penduar…”.

Kështu e nis shkrimin e saj mbi situatën ne veriun e Kosovës, gazeta prestigjioze britanike, The Times, e cila ka intervistuar në fundjavë kryeministrin Kurti.

Teksa kujton se partnerët e kishin ndëshkuar, me përjashtim nga stërvitjet e përbashkëta të NATO-s, Times citon kryeministrin Kurti të thotë se shpërblimi për këtë, do të jetë mposhtja përfundimtare e presidentit ultra-nacionalist të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Ne kemi nevojë për ndihmën e SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së. Por kjo ndihmë nuk duhet të jetë në drejtim të qetësimit të autokratëve”, citohet të ketë thënë Kurti.

Ashtu sikundër e ka bërë edhe në prononcime të tjera gjatë këtyre ditëve, Kurti mbrojti qëndrimin e qeverisë së tij për The Times, duke thënë se po mbronte sundimin e ligjit dhe demokracinë, të cilat nuk mund të mbijetonin nëse do t’i dorëzohej ngacmimeve të një miku të Putinit.

“BE, SHBA, Britania e Madhe, ata e njohin procesin demokratik të zgjedhjeve. Nëse kryetari nuk do të punojë nga zyra e tij, nga do të punojë ai?”

Ai tha më tej, për të përditshmen, se do të mbante zgjedhje të reja, për sa kohë që serbët premtojnë të mos i bojkotojnë ato.

The Times, shkruan se diplomatet sugjerojnë se Kurti po përpiqet ta tregojë veten si një Zelensky i ri.

“Ata thonë se Kosova është shumë e ndryshme nga Ukraina dhe se enklava serbe ngjason më shumë me Irlandën e Veriut se sa Donbasin. T’u kërkosh serbëve atje ta harrojnë Beogradin është si t’u kërkosh katolikëve të Irlandës së Veriut ta harrojnë Dublinin”, shton me tej media britanike.