Extra Iku nga frika e virusit në Kinë, tashmë e karantinuar në Shqipëri:...

Iku nga frika e virusit në Kinë, tashmë e karantinuar në Shqipëri: Pse Pse Kina arriti ta mposhtë Covid-19

Enida Mara studion në Pekin prej 5 vitesh në degën Tregti-Ekonomi Ndërkombëtare, njëkohësisht dhe gjuhën kineze. Ajo u kthye nga Kina pas përhapjes së koronavirusit, por nuk e mendoj se do të karantinohej në Shqipëri. Në një intervistë për TvT, Enida na tregon se pse Kina arriti ta mposhtë virusin Covid-19.

Enida, ti i ke prekur të dyja kulturat, si mendon ku ndryshon kultura kineze për t’u përballur me situata të ndryshme, krahasuar me atë europiane?

Kinezët janë njerëz të disiplinuar, i respektojnë rregullat dhe kanë vullnetin për t’i bërë gjërat, nuk ankohen për çdo situatë, por kuptojnë që kjo është situata dhe do ia dalim. Ndërkohë, europianët, përfshirë dhe ne, nuk jemi të ndërgjegjësuar se ç’po ndodh përreth, shkojmë në kafen që gjejmë hapur, takojmë njerëz duke i përqafuar ata, ndërkohë që në Kinë nuk përshëndeten as me dorë. Duke parë situatën në Shqipëri, akoma shikoj njerëz që janë trotuareve dhe qëndrojnë shumë afër njëri-tjetrit, me idenë se jemi të rinj dhe nuk na gjen asgjë. Një koncept kaq i gabuar që shikoj te rinia shqiptare, më bën të vlerësoj dhe respektoj akoma më tepër kinezët.

Ti u largove nga atje, për të gjetur siguri në Shqipëri dhe prej 2 muajsh ndodhesh këtu. Si e prite faktin se tani je karantinuar në Shqipëri?

Faktikisht paniku që u shkaktua dhe njerëzit që thonin sa mirë që erdhe më bënin të ndihesha e sigurt, por tani që situata në Pekin është drejt normalizimit, ndërsa unë e shikoj veten të karantinuar në Shqipëri, nuk më jep aspak siguri. Gjithsesi, nuk jam e frikësuar, por rrethohem nga njerëz të papërgjegjshëm dhe kjo e shton pak shqetësimin tim, sidomos për prindërit, të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme. Gjithsesi, duke menduar që atje do të isha në karantinë vetëm në një dhomë, më bën të ndihem mirë fakti që këtu jemi të gjithë bashkë dhe mundohem të kujdesem për familjen.

Kishe më shumë frikë atje apo këtu?

Në fillim kisha shumë frikë atje, sepse mendoja që ne jemi pa mbështetje, por shkolla ka luajtur një rol kryesor ku studentët u karantinuan direkt dhe u matej temperatura në mëngjes dhe në darkë, ndërsa këtu, të jem realiste ndihem e pasigurt, duke qenë se ne nuk jemi një shtet i zhvilluar në përmasat e shteteve europiane dhe shumë larg zhvillimit të Kinës.

Kina duket se e sfidoi virusin, pse mendon se arritën ta mposhtin?

Kinezët janë njerëz të disiplinuar dhe në momentin që mësuan për virusin e ri, nisën vetë të karantinoheshin dhe nuk dilnin qoftë edhe për një xhiro në natyrë siç po bëjnë shqiptarët. Arritën ta mposhtnin duke repsketuar masat që duhet të merreshin, duke qëndruar në shtëpi për më shumë se një muaj dhe më kryesorja që shteti kinez ishte i gatshëm për atë situatë, mos të harrojmë faktin që në pak ditë ata ndërtuan një spital për të infektuarit. Unë kam përshtypjen se ata do të jenë shumë ndihmues ndaj Italisë, por edhe ndaj vendeve të tjera europiane, të cilat akoma nuk e kanë marrë aq seriozisht.

A do ndihmojnë masat e marra nga qeveria shqiptare?

Jam me të vërtetë e kënaqur me ato masa që janë marrë, mbase nuk janë mjaftueshëm apo dikush mund t’i quajë strikte unë nuk e prisja që qeveria shqiptare të reagonte në këtë mënyrë. Unë mendoj se këto masa do ndihmojnë, nuk ka asnjë problem nëse qëndrojmë disa ditë në shtëpi, në mënyrë që më vonë të dalim dhe të shijojmë jetën. Uroj që qeveria shqiptare të jetë strikte ndaj masave deri në momentin që gjendja do vazhdojë të stabilizohet.

Ka ndonjë lajm se kur rifillon mësimi atje?

Mësimi është i pezulluar dhe vazhdon online, por mua më ka mbetur vetëm tema e diplomës dhe po punoj nëpërmjet email-it. Në Kinë është qetësuar gjendja dhe kanë filluar të na dërgojnë njoftime mbi gjërat që duhet të dorëzonim në fund të marsit apo fillim të prillit, por është e pamundur që të vazhdojë mësimi normal, sepse atje ka studentë nga e gjithë bota dhe sado të qetësohet gjendja në Kinë nuk mund të procedohet./TvT.al/