Politika Il Giornale: Ndihma shqiptare një vlerë e madhe simbolike dhe etike

Il Giornale: Ndihma shqiptare një vlerë e madhe simbolike dhe etike

Europa që duhej të ishte sot, por që fatkeqësisht nuk është, ka fytyrën e një kryeministri që dje foli si një staticien i vërtetë global duke dhënë një leksion “njerëzor” të realpolitikës për drejtuesit e së ashtuquajturës “Fuqitë e Mëdha”, shkruan gazeta e njohur italiane “Il Giornale”.

Bëhet fjalë për kryeministrin shqiptar, Edi Rama, i cili dërgoi në Itali një ekip prej 30 mjekësh dhe infermierësh të bashkatdhetarëve të tij për të “ndihmuar Lombardinë në luftën kundër koronavirusit”.

Një pikë ujë në detin e emergjencës, por me një vlerë të madhe simbolike dhe etike.

Në fakt, kur solidariteti vjen nga një vend që i ka akoma të hapura plagët e tërmetit shkatërrues të vitit të kaluar, përpjekja bëhet edhe më e lavdërueshme.

Kryeministri Rama (me një italishte që do të kishin zili shumë politikanë) shpjegoi kuptimin e këtij misioni: «Ne kemi kujtesë. Ne duam t’i tregojmë Italisë se Shqipëria dhe shqiptarët kurrë nuk braktisin mikun në vështirësi. Sot ne jemi të gjithë italianë, dhe Italia duhet ta fitojë këtë luftë edhe për ne, për Europën dhe për tërë botën».

Kush e di nëse pas këtyre fjalëve, njerëzve të caktuar (si Angela Merkel, Christine Lagarde, Ursula von der Leyen e tjerë…) do t’u gumëzhinin veshët.

E sigurt është që BE-ja e fiskalizimit burokratik dhe asfiksisë morale do të kishte shumë për të mësuar nga habitati intelektual i kryeministrit shqiptar. “Është e vërtetë që të gjithë janë mbyllur në kufijtë e tyre dhe vendet shumë të pasura ua kanë kthyer shpinën të tjerëve”, tha Rama.

“Por, ndoshta edhe sepse ne nuk jemi të pasur, por jo të privuar nga kujtesa, ne nuk mund të lejojmë të mos i tregojmë Italisë se Shqipëria dhe shqiptarët nuk e braktisin atë“.

Ekipi shëndetësor do të dërgohet në spitalet e Brescias dhe Bergamos, në zonat më të prekura nga pandemia.

«Faleminderit», ishte tweet-i i kryeministrit Giuseppe Conte, i cili postoi videon e përshëndetjes së kolegut të tij; një “faleminderit” edhe nga kreu i Mbrojtjes Civile, Angelo Borrelli.

“Ju na keni ndihmuar dhe na keni mbështetur për 30 vjet dhe kjo ishte minimalja  që mund të bënim për ju”, tha një infermiere 35-vjeçare nga Tirana e cila është pjesë e delegacionit.

“Të 29 kolegët e mi dhe unë jemi të vetëdijshëm për atë që po ndodh në spitalet e Brescias dhe nuk kemi frikë”, shton ajo.

Por, kujt i referohet kryeministri shqiptar kur flet për “mirënjohje për Italinë?”.

Mendimi kthehet më 7 mars 1991, kur dhjetëra anije, të mbushura në portet e Vlorës dhe të Durrësit, iu drejtuan Brindizit me dhjetëra mijëra shqiptarë në bord.

Kryetari i bashkisë i qytetit tha: “Janë vetëm të uritur dhe kanë ftohtë, le t’i ndihmojmë”.

Dhe për pesë ditë Brindizi hapi shtëpitë, shkollat dhe dyqanet, duke ndihmuar ata që iknin pas dekadash të sundimit komunist.

“Solidariteti popullor ka kapërcyer mangësitë e institucionet tona, të cilat, edhe me atë rast, rezultuan të pamjaftueshme. Por në sytë e qeverisë së Tiranës ne italianët megjithatë e bëmë figurën e “të mirit”. Sot për shqiptarët ka ardhur koha t’u japin një shpullë gjithë egoizmave europiane. Dhe jo vetëm.