Me 300 ditë me diell në vit, Shqipëria paraqitet si destinacion i dëshiruar në të gjitha stinët, fillon reportazhin e saj të gjatë gazeta e njohur italiane “Il Sole 24 Ore”.
“Në të vërtetë, pa nxehtësinë e verës, mund t’i vlerësoni më mirë qytetet në brendësi të vendit dhe zonat arkeologjike me të cilat është i mbushur Vendi i Shqiponjave. Ju nuk mund ta vizitoni vendin pa kaluar nëpër historinë e saj, nga ilirët deri te romakët, nga osmanët deri te mbreti Zog, nga kolonizimi italian deri te diktatura e Enver Hoxhës që e bëri të paeksploruar Shqipërinë për rreth 40 vjet. Ajo që perceptohet sot është një dëshirë e madhe për të promovuar bukuritë dhe vlerat kombëtare përmes turizmit, para së gjithash mikpritjen dhe bujarinë.
Tirana
Zgjedhja e Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, si faza e parë e udhëtimit, ju lejon të perceptoni një paraqitje të shkurtër të shenjave të një rilindjeje urbane që fokusohet në bukurinë dhe në hapësirat ku jetohet. Duke ecur nëpër rrugët e qendrës mund të vlerësoni zonat e gjelbra, pastërtinë e rrugëve dhe gjallërinë e banorëve të ulur në tavolinat e bareve. Nga kati i 23-të i hotelit ”Plaza” ju mund të shijoni një pamje të veçantë mbi gjithë qytetin dhe sheshin e madh, dedikuar heroit kombëtar Gjergj Kastriot, i njohur si Skënderbeu.
Bunkart 2
Në një pozicion pak të izoluar me sheshin ”Skënderbej” do të hasni në Bunkart 2, një ish-bunker i shndërruar në një muze. Kubeja e sapondërtuar, e ngjashme me ato të qindra mijëra bunkerëve të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë, të ndërtuar për terrorin e sulmeve bërthamore në diktaturë, përfaqëson kujtimin e viktimave të komunizmit. Secila prej 24 dhomave nga të cilat përbëhet kjo strukturë, e lidhur me tunele drejtpërdrejt te zyrat e ministrit të Brendshëm, zbulon sekretet e sigurisë dhe policisë politike, të të famshmit “Sigurimi” si dhe metodat e përdorura. Dhoma e fundit është ajo për ministrin, e kompletuar me një tualet dhe e pajisur me mjetet e tij të punës.
Pallati i Mbretit
Edhe Pallati i Mbretit ose siç quhet ndryshe Pallati i Brigadave meriton të vizitohet kur jeni në Tiranë. Konceptuar nga Giulio Bertè në vitin 1936 për mbretin shqiptar Ahmet Zogu dhe më pas i kompletuar nga Gherardo Bosio në vitin 1941, është i vetmi pallat mbretëror që nuk ka qenë i banuar, por është përdorur vetëm për pritjet institucionale. Në 1 400 metra katrore, të gjitha orenditë e pallatit janë dizajnuar tërësisht nga Giò Ponti: një gjurmë e arkitekturës italiane të kohës në Shqipëri.
Berati
Nëse nga Tirana do të kaloni në zonën qendrore të vendit duke ecur për rreth 100 kilometra në zonat rurale, ku prodhohen dhe shijohen ullinj të shkëlqyeshëm dhe verë tradicionale, do të arrini në Berat, qytet i shpallur Trashëgiminë Botërore e UNESCO-s. Në të djathtë dhe në të majtë të lumit Osum, që e përshkon atë mespërmes, shikimi humbet në “1 000 dritaret” e dy lagjeve, Goricës (së krishterë) dhe Mangalemit (mysliman), të lidhura me një urë që mund të kalohet vetëm më këmbë. Shtëpitë me çatitë me pllaka të kuqe të shkallëzuara me njëra-tjetrën, i gjejmë edhe në Kështjellën e Beratit. Këtu ndodhet muzeu ikonografik i Onufrit. Përtej mureve të kalasë qëndrojnë malet shqiptare që ende kanë majat e mbuluara me dëborë në fund të marsit. Nëpër rrugët e pjerrëta ju mund të thithni ajrin e historisë, të cilën mund t’ua tregojnë banorët e paktë që kanë mbetur në kala.
Drejt detit të Vlorës
Tërheqja drejt detit është e fortë, prandaj kthehemi në drejtim të Vlorës duke u shtyrë kështu drejt jugut. Rrugët nuk janë ende krenaria e Shqipërisë, por kjo lejon, nëse nuk nxitoni, të vëzhgoni dhe kapni shumë detaje: shumë njerëz ndodhen në anët e rrugës, ndoshta duke pritur për një autobus ose një udhëtim. Çifte të moshuar të veshur me rroba festive ose familje të vogla që përshëndesin një anëtar duke u larguar me një valixhe. Nuk është e pazakontë që të shkëmbehesh me karroca të tërhequra nga gomarët dhe barinjtë me kopetë e tyre të vogla të deleve dhe dhive. Shihen gjithashtu edhe shitës që shesin fruta dhe perimet që i prodhojnë vetë. Vlora, port i Shqipërisë, është absolutisht kryeqyteti i bregdetit shqiptar të jugut. Më afër me Italinë sesa me Tiranën, Vlora është një qytet që ndodhet mes detit Adriatik dhe atij Jon, me një plazh me rërë dhe me një rrugë të gjerë të mbjellë me palma, shtuar këtu ndërtesat e viteve të fundit me disa kate dhe restorante me të dyja llojet e gatimeve, si ato tipike vendase, ashtu edhe ato ndërkombëtare.
Apolonia
Shumë mbresëlënëse është edhe zona arkeologjike e Apolonisë, e vendosur në një fshat pranë qytetit të Fierit. Këtu, me ndihmën e një udhërrëfyesi, është e këndshme të imagjinohet jeta në një qytet antik të origjinës ilire, dedikuar Apolonit, ku edhe perandori Oktavian iu dedikua studimeve të filozofisë dhe oratorisë në vitin 44 para Krishtit. Apolonia, një qytet antik me origjinë ilire, dedikuar Apolonit, zotit të Diellit dhe mbrojtës i kolonive, u bë në shekullin III para Krishtit një protektorat romak. Në sajë të pozitës së saj strategjike, ”civitas libera et immunis” përjetoi një periudhë lulëzimi të lirisë së madhe derisa një tërmet, në shekullin III detyroi braktisjen e qytetit, i cili mbeti një qendër kishtare deri në shekullin V për t’u zhdukur më pas nga burimet e shkruara.
Jo e gjithë trashëgimia arkeologjike është gërmuar deri tani. Pranë agorasë u gjetën mbetjet e tempullit të Artemisës (ose Diana), si dhe kolonat e harkut të triumfit. Romakët e përshtatën tregun (agoranë) duke e transformuar atë sipas nevojave të tyre: janë gjetur shenja të një biblioteke dhe dyqane. Gjithashtu interesant është amfiteatri i madh që është rreth gjysmë ore larg nga ish-tregu. Në krye të kodrës së Apolonisë, tamam aty ku gjendet tempulli i Apollonit, arkeologu francez, Leon Rey ndërtoi shtëpinë e tij, që tani shërben si një restorant. Më shumë se 1 000 gjetje arkeologjike, përfshirë statuja dhe orendi, ruhen mirë në muze brenda kompleksit të manastirit që daton prej shekullit XII, një muze unik në Shqipëri.