Botërore e Shëndetësisë ka shpallur disa udhëzime të për diagnostikimin e hershëm, gjë që mund të përmirësojë shanset për mbijetesë.
Rastet e mbijetesës për disa lloje kancerësh janë përmirësuar ndjeshëm gjatë 50 viteve të fundit, ndërkohë që disa forma të kësaj sëmundje janë ende shumë të vështira që të trajtohen. Siç na njeh materiali në vazhdim, një numër pacientësh me kancer, tek të cilët trajtimet e tjera kanë dështuar, po tregojnë përmirësime gjatë provave të reja klinike.
Shkencëtarët në kompaninë farmaceutike “Pfizer” dhe firmën e vogël bioteknologjike “Abbvie Stemcentrix”, po kryejnë prova me një ilaç të ri që trajton disa lloje agresivë kancerësh, që janë të vështirë për t’u trajtuar dhe shpesh ripërsëriten. Ilaçi në fjalë funksionon tek minjtë dhe majmunët, ndërkohë që janë duke u zhvilluar prova edhe tek njerëzit. Doktor Marc Damelin punon për gjigandin farmaceutik “Pfizer”.
“Shpresojmë të godasim qelizat kanceroze në lindje të tyre. Sikurse kur pastron kopështin dhe heq barërat e këqija duke i shkulur nga rrënjët që të mos rriten më. Ilaçi i ri synon ë të godasë rrënjët e tumoreve. Kjo kimoterapi në thelb vret këto qeliza” , i tha ai Zërit të Amerikës, përmes Skype, nga qendra kërkimore “Pfizer” në Nju Jork.
Ilaçi ka qasje të dyanshme. Është një antitrup që lufton kancerin. Shkencëtarët kanë futur një ilaç kimioterapie tek antitrupi, që është molekulë proteine. Antitrupi kapet tek një qelizë kanceroze në zhvillim për të ndaluar rritjen e saj ndërkohë që kimoterapia e shkatërron atë.
“Kjo terapi është si një raketë e komanduar”, thotë Dr. Marc Damelin.
Ai shton se afro 30 për qind e pacienteve me kancer të vezoreve, gjatë provës po tregojnë reagim pozitiv. Janë paciente që nuk kanë patur shanse me terapitë e tjera.
Shpresohet që ky ilaç i ri do të zëvendësojë kimoterapinë standarde. Meqënëse ajo vepron ndaj qelizave të caktuara do të ketë më pak efekte anësore.
Nëse funksionon, shkencëtarët thonë se kjo mund të ndihmojë edhe pacientët me lloje të tjera kancerësh, përfshi kancerin e prostatës, stomakut, ezofagut dhe një lloj agresiv të leukemisë. Një provë klinike me më shumë pacientë pritet të fillojë këtë vit. Nëse del me sukses, ky ilaç mund të shpëtojë jetët e njerëzve me kancerë të vështirë./VOA