Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi ceremoninë e shpalljes së fituesit të Çmimit “Lumo Skëndo”.
Ky çmim shërben si një institucion gjykimi për veprën më të mirë publicistike, eseistike apo historike të një viti, por jo vetëm. Është një rast i mirë për të sjellë në vëmendje emrin e një figure të rrallë dhe të shumanshme, siç është Mid’hat Frashëri.
“Pavarësisht të gjithë përpjekjeve që po bëjmë, nuk është rikthyer sërish prestigji për shkak të një mohimi të gjatë që i është bërë këtij emri dhe këtij personaliteti. Ky event ka shërbyer për të celebruar librin dhe kjo është e rëndësishme dhe emrat që e kanë merituar besoj”, tha Belinda Budini.
Autorët e përzgjedhur nga juria për këtë edicion ishin Ilir Ikonomi, Thomas Frashëri, Ardit Bido, Namir Lapardhaja, Artan Fuga, Natasha Lako, Blendi Fevziu, Migjen Kelmendi, Erion Kristo dhe Astrit Lulushi nga të cilët, u përzgjodh si fitues Ilir Ikonomi me veprën “Fan Noli, Apostulli”.
“Është një çmim i rëndësishëm dhe prestigjioz dhe ata që e kanë fituar para meje kanë qenë figura të njohura të letërsisë dhe filozofisë. Jam i emocionuar. Sidomos “Lumo Skëndo” është një personalitet shumë i njohur. Ka qenë një njeri shumë aktiv në një kohë që jo të gjithë ishin aktiv”, u shpreh Ilir Ikonomi.
Ndërsa një në postim në rrjetet sociale, Ikonomi shkruan:
“Sot në Tiranë një juri më nderoi me çmimin prestigjioz Lumo Skëndo për librin “Fan Noli – Apostulli”. Ngjarja organizohej nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.
Thashë edhe unë ca fjalë për njohjen e Lumo Skëndos (Mid’hat Frashërit) me Fan Nolin në vitin e largët 1921.
Të dy ishin njerëz të ditur, të dy punonin shumë për problemin më të madh të atij viti: zbrazjen e tokave shqiptare nga trupat serbe dhe greke, që nuk po e linin Shqipërinë e ringjallur të merrte frymë.
Mid’hati, 41 vjeç, përfaqësonte Shqipërinë në Paris; Noli, 39 vjeç, në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Mid’hati ishte njohës i shkëlqyer i truallit shqiptar, i çdo fshati, i çdo pëllëmbe tokë. Noli ishte orator dhe artikulues i mirë i kërkesave shqiptare, i zbukuronte fjalimet e tij me shprehje latine, me vargje nga Shekspiri dhe Dantja, ishte i zoti të debatonte me diplomatët grekë dhe serbë në Lidhjen e Kombeve.
Një ditë u takuan në Gjenevë. Ishte fund i gushtit 1921.
Më 1 shtator trokitën të dy në zyrën e Lordit Arthur Balfour, ish-kryeministrit të Britanisë.
-Si mund t’ju ndihmoj? – i pyeti Lordi.
-Ju keni fuqi të madhe, – i thanë ata.
Lordi i priti me dashamirësi, por jo pa një sens ironie këta dy burra të kulturuar, që mbronin me aq pasion trojet e sakatuara të vendit të tyre. Mirëpo nuk ishte e lehtë të depërtoje tek të mëdhenjtë.
Mid’hat Frashëri dhe Fan Noli nuk qëndruan bashkë më shumë se një javë në Gjenevë, por ishin aty në çastin e duhur. Ishin ndoshta të vetmit shqiptarë që kishin realisht aftësinë të mbronin kufijtë e Shqipërisë.
Ja pse ky çmim që mora sot më solli në mendje disa gjëra nga historia. Ishte mjaft kuptimplotë për mua”.
Çmimi “Lumo Skëndo” është një vlerësim i rëndësishëm që nxjerrë në pah vlerat më të mira të këtyre botimeve, që kanë një rol në diskutimet publike. Për herë të parë ndarja e këtij çmimi është realizuar në vitin 2021, në të cilën triumfoi Lea Ypi, ndërsa një vit më vonë triumfoi libri i shkrimtarit Ben Blushi me “41 sekrete”.