Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është paraqitur të mërkurën paradite në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Burime jozyrtare bëjnë me dije se Meta është thirrur për të dëshmuar për hetimin e dosjes CEZ-DIA.
SPAK ka nisur gjithashtu hetimet pas kallëzimit penal të bërë nga ish-deputeti Halit Valteri kundër Metës, vitin e kaluar. Prokuroria e Posaçme, SPAK, i ka dërguar shkresa zyrtare bankave të nivelit të dytë në vend dhe tatimeve, në funksion të hetimit të nisur. Burime pranë SPAK u konfirmuan bankave se iu është kërkuar informacion lidhur me llogaritë bankare, apo çdo transaksion të bërë nga të kallëzuarit e Valterit, që veç ish-presidentit, janë edhe Monika Kryemadhi, Vangjel Tavo dhe Iraklis Fidetzis.
Njëkohësisht, është kërkuar edhe një pasqyrë e deklarimeve të tyre në organet tatimore. Hetimi në fjalë në Prokurorinë e Posaçme është regjistruar pa emra konkretë personash të dyshuar dhe po drejtohet nga prokurorët Arben Kraja dhe Sotir Kllapi.
Procedimi ndodhet në fazën e mbledhjes së informacioneve të hapura nga institucionet dhe më pas në varësi të gjetjeve apo dyshimeve që mund të krijohen, do të vendoset për veprimet e tjera hetimore, si mund të jetë thirrja dhe pyetja e të kallëzuarve.