Nëna e një studenteje gjermane të vrarë në Britani, ka folur për herë të parë për vdekjen e saj të dhunshme, duke përshkruar sesi çdo natë dëgjon ulërimat e vajzës së saj.
21-vjeçarja Janet Muller studionte në Universitetin e Brighton dhe u zhduk nga Eastbourne në Mars të 2015-s.
Trupi i saj i dhunuar u gjet një ditë më pas në bagazhin e një makine të shkrumbuar në Crawley, Sussex. Në 2016-n, Christopher Jeffrey-Shaw nga Beckenham u dënua me 17 vjet burg për vrasjen e së resë.
4 vjet pas humbjes së vajzës, nëna e Janet thotë se nuk arrin të gjejë qetësi për mënyrën sesi iu vra e bija.
“Ishte një makth, është ende. Fakti që e di që kishte shumë plagë në kokë dhe që u dogj ndërkohë që ishte ende gjallë, që merrte ende frymë… Shpresoj vetëm që nuk ka ndjerë asgjë. Nuk mund ta besoj që nuk është më. Shtrihem çdo natë në shtrat me zërin e saj kokë që ulëret për ndihmë“, thotë nëna e saj Ramona.
Gruaja nga Berlini shprehet se ka ende shumë pyetje për çfarë i ndodhi vajzës së saj 21-vjeçare, e cila për herë të fundit u pa rreth orës 01:15 të natës më 12 Mars të 2015-s.
Jeffrey-Shaw deklaroi gjatë gjykimit të tij se nuk e dinte që Janet ndodhej në bagazhin e makinës dhe se ia kishte vënë flakën automjetit me urdhër të trafikantëve të drogës.
Megjithatë, gjykata i cilësoi pretendimet e tij të pavërteta.
“Nuk e di ende se çfarë ka ndodhur gjatë 12 orëve që ishte me të, nuk kemi asnjë të dhënë për këtë periudhë kohore”, thotë Ramona. “Ajo u pa për herë të fundit në 1:15 dhe vdiq të nesërmen në orën 2 të drekës dhe unë nuk e kam idenë se çfarë i ndodhi“, shton më tej nëna e 21-vjeçares.
Janet dhe motra e saj binjake Selina shkuan sëbashku në Mbretërinë e Bashkuar për të studiuar në universitete të ndryshme.
E përshkruar si një vajzë plot jetë e gjallëri, teksa provimet e vitit të tretë po afroheshin, familja e Janet dhe miqtë e saj nisën të shqetësoheshin për shëndetin e saj mendor që dukej se po përkeqësohej.
Një ditë, Janet mori nënën e saj në telefon duke i thënë se ishte e bindur që dikush e përndiqte. “Nuk ia kisha idenë çfarë po ndodhet derisa një ditë Janet me mori në telefon dhe më tha se kishte frikë, pasi dikush po e përndiqte“, tregon nëna e saj. “I thashë nëse do të vish në shtëpi, të blej biletën e avionit, por ajo nuk pranoi dhe tha se duhet të studionte, pasi kishte provime”.
Ditët që pasuan gjendja shëndetësore e 21-vjeçares u përkeqësua edhe më tej, derisa u zhduk.
I arrestuari për këtë ngjarje, Jeffrey-Shaw, si personi që i vuri flakën automjetit deklaroi se makinën ia kishin dhënë dy trafikantë droge, të cilët e kishin përdorur në një grabitje të shkuar keq. Ai pretendoi se ata e kishin urdhëruar nën kërcënimin e armës që t’i vinte flakën.
Jeffrey-Shaw tha gjithashtu se pasi makina kishte marrë flakë kishte kuptuar se në bagazh ndodhej një vajzë dhe se ishte përpjekur për ta shpëtuar, por ishte tepër vonë.
Ndonëse gjykatësi e akuzoi për gënjeshtar, juria e shpalli fajtor për vrasje nga pakujdesia dhe për këtë arsye u dënua me maksimumin për këtë vepër prej 17 vitesh burg.